Site icon Telegrafi

Rezultatet dhe renditja pas javës së 32-të në Superligën e Kosovës: Kryesuesit nuk gabojnë, Fushë Kosova përshëndetet nga elita

Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 32-të të Superligës së Kosovës të gjitha u zhvilluan në një orar (të dielën), e ku kryesuesit nuk gabuan.

Ballkani ka arritur të marr një fitore të pastër ndaj Dukagjinit, duke triumfuar me rezultat 3-0 me golat e Lindon Emërllahu, Edvin Kuc dhe Nazmi Gripshit.

Edhe Llapi nuk ka gabuar në “Zahir Pajaziti”, duke marr një fitore me vështirësi ndaj Feronikelit 74 me rezultat 3-2. Muhamet Hyseni shënoi dy herë, ndërsa një gol e shtoi Ahmed Januzi.

Drita ka mposhtur në shtëpi Fushë Kosovën me rezultat 3-1, me dy gola të Blend Baftiu dhe një të Besnik Krasniqit.

Malisheva dhe Gjilani kanë luajtur pa gola në stadiumin “Liman Gega”, ndërsa Prishtina ka mposhtur si mysafir Lirinë me rezultat 1-0 më golin e Albin Berishës.

Ballkani mbetet lider me 66 pikë, kur kanë mbetur edhe katër ndeshje deri në fund të kampionatit.

Llapi është i dyti me 64 pikë, ndërsa Drita me 62 pikë është e treta, duke vazhduar ta bëjnë garën interesante.

Malisheva mbetet në vendin e katërt me 53 pikë, ndërsa Prishtina është e pesta me 46 pikë. Dukagjini si i gjashti ka 39 pikë, katër më shumë se sa Gjilani që ka 35 pikë. Feronikeli 74 mbetet në zonën e barazhit me 34 pikë.

Fushë Kosova me 20 pikë është larguar zyrtarisht nga Superliga e Kosovës me humbjen e sotme, ndërsa Liria që ka 14 pikë Ligën e Parë e ka përqafuar kohë më parë.

Në xhiron e 33-të do të takohen: Gjilani – Llapi, Prishtina – Drita, Feronikeli 74 – Liria, Fushë Kosova – Dukagjini dhe Malisheva – Ballkani. /Telegrafi/

Exit mobile version