Telegrafi

Rezultatet dhe renditja pas javës së 30-të në Superligën e Kosovës – Ballkani lider, Drita dhe Llapi në ndjekje

Janë mbyllur ndeshjet e javës së 30-të në Albi Mall Superligën e Kosovës, ku nuk munguan përballjet e forta dhe emocionuese.

Derbi i kësaj jave u zhvillua mes Ballkanit dhe Dritës, ku kjo super ndeshje u mbyll me rezultat të barabartë 2-2.

Llapi ka shënuar fitore ndaj Fushë Kosovës me rezultat 1-0, me një gol të Ilir Krasniqit në kohën shtesë.

Prishtina ka mposhtur si mysafir Malishevën me rezultat 1-0, ndërsa Dukagjini ka barazuar si mysafir i Lirisë me rezultat 0-0.

Barazim kishte edhe në ndeshjen derbi për barazh mes Gjilanit dhe Feronikelit 74’, përballje që u mbyll 1-1.

Kur kanë mbetur edhe gjashtë ndeshje deri në fund, lider në Superligën e Kosovës është Ballkani që aktualisht ka 60 pikë.

Llapi është kthyer në pozitën e dytë me 58 pikë, aq sa ka edhe Drita, por llapjanët kanë golldallim më të mirë aktualisht.

Malisheva mbetet e katërta me 52 pikë, ndërsa Prishtina është e pesta me 43 pikë.

Dukagjini mbetet në vendin e gjashtë me 38 pikë, ndërsa Gjilani është i shtati me 34 pikë. Feronikeli 74 mbetet në pozitën e barazhit, pasi aktualisht është i teti me 31 pikë.

Renditjen e mbyllin Fushë Kosova me 20 pikë dhe Liria me 10 pikë, që tashmë është matematikisht në Ligën e Parë.

Në javën e 31-të takohen: Gjilani – Ballkani, Feronikeli 74 – Malisheva, Fushë Kosova – Liria, Prishtina – Llapi dhe Dukagjini – Drita.

/Telegrafi/