Telegrafi

Rezoluta për ajrin me obligime konkrete për institucionet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka përshëndetur miratimin e rezolutës nga deputetët lidhur me përmirësimin e cilësisë së ajrit, e cila parasheh rekomandime dhe obligime konkrete për të gjitha institucionet përgjegjëse.

Ai në facebook ka falënderuar deputetët e Kuvendit të Kosovës për interesin e treguar dhe për debatin përmbajtjesor për gjendjen e mjedisit në vend.

“Debati rezultoi me miratimin e një rezolute, me një konsensus të plotë, e cila parasheh rekomandime dhe obligime konkrete për të gjitha institucionet përgjegjëse për përmirësimin e cilësisë së ajrit. Kuvendi i Kosovës do ta trajtojë me prioritet gjendjen e mjedisit dhe do të kërkojë implementimin e obligimeve të nxjerra nga kjo seancë”, ka shkruar ai në Facebook.