Xhavit Rexhaj nga Agjencia e Kosovës për Akreditim ka thënë se bordet e institucioneve arsimore publike janë të politizuara.
Rexhaj, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini ka thënë se dhembja më e madhe e arsimit të lartë është politizimi.
“Në Kosovë, arsimi i lartë ka politizim. Dhembja më e madhe në arsimin e lartë publik në Kosovë është politizimi, militarizimi i institucioneve të arsimit të lartë, shfrytëzimi i arsimit të lartë për nevoja të veta [politike]”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Anëtari nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka thënë se institucionet e reja arsimore bordet i kanë të mbushur me njerëz nga PDK-ja, por sipas tij ata anëtarë të bordeve kanë punuar të pavarur nga politika.
“Institucionet e reja arsimore, të gjitha janë me borde të PDK-së. Tjetër gjë është që këta kanë punuar mirë. Emërimet kanë qenë politike, por ata nuk kanë punuar politikisht me një entuziazëm që unë nuk e kam besuar kah ju ka dalë”.
Rexhaj ka porositur se institucionet politike duhet të heqin dorë nga ndikimi i tyre në institucionet publike arsimore.
“Unë mendoj që partitë duhet të heqin ndikimin prej institucioneve dhe shteti duhet të përkrahë më shumë institucionet publike arsimore, në veçanti këto të rejat”, tha ndër të tjera Xhavit Rexhaj. /Telegrafi/