Një vit nga marrja e detyrës nga ana e kryeministrit Kurti, deputeti i shumicës parlamentare, Arbër Rexhaj, ka bërë bilancet.
Rexhaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se kjo qeveri asnjë skandal korruptiv nuk ka pasur. Madje sipas tij ka edhe ankesa nga anëtarët e LVV-së se nuk po mund të punësohen nga konkurset publike.
“Zakonisht kur subjektet politike fitojnë zgjedhjet rehatojnë militantët partiakë në pozita të rëndësishme të punës. Deri më tani unë kam parë që në institucione të ndryshme ka pozita të emëruara. Mund të them se partizim të institucioneve me LVV-në nuk ka. Madje unë kam ankesa të përditshme të aktivistëve tanë nga e gjithë Kosova në raport me punësimin, të cilët realisht janë të barabartë me të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës”, tha ai, përcjell Telegrafi.
“Pra ata po ankohen se nuk po mund të punësohen në konkurset publike. Nuk po merret parasysh fakti se ata janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje”.
Nga ana tjetër ish-ministri i Drejtësisë nga AAK, Selim Selimi thotë se është legjitime të emërohen militantët në pozita të ndryshme por sipas tij LVV emëroi në këto pozita familjarët e zyrtarëve të lartë të LVV-së./Telegrafi/