Telegrafi

Revista “France Football” shpjegon se sa “Topa të Artë” do të kishte fituar Diego Armando Maradona

Tifozët më të rinj të futbollit, duhet ta dinë faktin që revista “France Football”, pranoi kandidaturat për lojtarët joevropianë vetëm në vitin 1995.

Në këtë vit karriera e Diego Armando Maradonës vetëm kishte filluar të binte.

Maradona nuk e ka fituar asnjëherë “Topin e Artë”, por sa do t’i kishte fituar nëse ky çmim do të dhurohej edhe për lojtarët që nuk ishin evropian.

Sipas “France Football”, përgjigjja është dy “Topa të Artë”, në vitet 1986 dhe 1990.

Çmimi i vitit 1986 (u fitua nga Igor Belanov) kur Kupën e Botës e fitoi me Argjentinën dhe i vitit 1990 (e mori Lothar Matthaus), pavarësisht finales së Kupës së Botës të humbur në Itali (atë vit Napoli i udhëhequr nga Maradona ia rrëmbeu titullin Milanit).

Duke vazhduar me arsyetimin, revista franceze gjithashtu shpjegoi se, nëse çmimi do të ishte hapur për të gjithë që nga fillimi, Pelé do të kishte fituar shtatë.

Ai mbretëroi në futboll midis fundit të viteve 1950 dhe fillimit të viteve 1960. Braziliani (futbollisti i shekullit nga revista franceze në vitin 1999) kishte më pak konkurrencë në proporcion me kampionët që sfidoi Diego Maradona.

Maradona nga revista “France Football” është vlerësuar me “Çmimin e Karrierës”. /Telegrafi/