Sot (e mërkurë), këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa do të arrijë në Prishtinë.
Ajo vjen për të qëndruar plot tre ditë, ku në datën 10 gusht të këtij viti, do të performojë para fansave në kuadër të festivalit “Sunny Hill”.
Një mbrëmje të ngjashme, Dua e kishte mbajtur edhe dy vite më parë, më 10 gusht të vitit 2016, në parkun “Gërmia” në Prishtinë.
Aso kohe, ajo ishte pritur dhe nderuar me mirënjohje në Prishtinë nga krerët më të lartë të shtetit, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, dhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Dua kishte interpretuar para fansave hitet e saj të vitit 2016, të gjitha të kënduara ‘live’, shoqëruar nga orkestra e saj.
Në një nga momentet më të veçanta, ajo kishte befasuar publikun, teksa kishte nisur të këndonte këngën e famshme “Beso në diell”, të cilën e ka kënduar babai i saj, Dukagjin Lipa, pjesëtar i grupit ODA.
Gjatë interpretimit të kësaj kënge, Dua ka qenë tejet emocionuar, dhe në atë kohë babai i saj i ishte bashkëngjitur në skenë për ta ndihmuar që së bashku ta qojnë deri në fund këngën e tyre.
Dua kishte përgatitur edhe një video të shkurtër për fansat e saj në atë kohë, duke treguar se sa e bukur ka qenë atmosfera e koncertit të para dy viteve.
Një eksperiencë thuajse të ngjashme, këngëtarja shqiptare me famë botërore e premton edhe në natën e 10 gushtit, të këtij viti. /Telegrafi/