Shkodra – ky qytet antik dhe historik i Shqipërisë me bukuri të shumta e i mbushur me tregime, është një nga destinacionet që vizitorëve të huaj nuk duhet t’ju mungojë.
Kalaja e Rozafës, shëtitorja e famshme e qytetit e malet e bukura të Thethit – janë pikat turistike që nuk duhet të mungojnë në guidën e çdo kujt që ia mësynë Shkodrës.
Bukuritë e qytetit shqiptar duket se kanë rënë edhe në syrin e historianëve të huaj – për të cilët Shqipëria gjithnjë e më shumë shihet si një “magnet” i turizmit.
Artisti Korab Basha e vizitoi Shkodrën në një ditë vere për pak relaks, por ai nuk mundi t’i rezistonte dot shkrepjes dhe dokumentimit të bukurive të këtij qyteti përmes pajisjeve të tij teknologjike.
Nga droni ai xhiroi disa nga destinacionet më tërheqëse, teksa rrugës në këtë reportazh, iu bashkua edhe historiania italiane, Dr. Carmela Rosiello.
Si nga takimi me një të huaj, natyrshëm lindi pyetja: “Pse të vish në Shkodër”?
Dhe përgjigja e historianes italiane ishte po aq befasuese, sa njohuritë e saj mbi lashtësinë dhe gjurmët shqiptare.
“Sepse është një vend i mrekullueshëm por mbi të gjitha sepse të pret Kështjella e Rozafës, e cila është një fortesë me origjine mesjetare dhe me një rijetësim të rëndësishëm ne periudhën moderne, në veçanti rreth shekullit te 15-të. Unë jam e dashuruar më këtë vend. Ka një paqe përreth thuajse të pabesueshme. Historia këtu jetohet, preket në çdo gur. Unë ftoj këdo ndodhet apo kalon nëpër Shqipëri të mos mungojë së vizituari këtë destinacion kaq të rëndësishëm”, tha Carmela.
“Historikisht mund të them se ngjan shumë me strukturat e fortesave të pjesës së parë të epokës moderne të cilat janë prezente edhe në Itali. Është jetuar edhe në Itali në fortesa, me ngjan me eksperiencën e Otrantos të 1480, kapjen e fortesës dhe çlirimin e saj ndaj turqve më 1481, e njëjta energji por me një histori krejtësisht tjetër”, vazhdoi të theksonte profesoresha italiane e historisë, teksa pamjet e bukura të Korab Bashës shoqëronin udhëpërshkrimin.
Në Shkodër fryn një erë e freskët, kështu që në verë mund të rrihet mirë, mund të merret frymë. Në veçanti poshtë kalasë kalon edhe një lum i gjatë që thuhet se buron në malet e larta të Kosovës. Ka pastaj një perëndim dielli magjik, kjo e bën këtë vend ideal për një fjalë që t’i propozojë vajzës që e dashuron.
Por nuk mbaron këto, mesa duket historia e Rozafatit është po aq mbresëlënëse dhe ngacmuese për të huajt – sa me të arrirë në Shkodër, ata shprehin menjëherë dëshirën për t’u njohur me historinë e famshme të tre vëllezërve.
“Pastaj, ka edhe një histori të mrekullueshme këtu. Tregojnë që nuk arrinin ta përfundonin kështjellën, ishin tre vëllezër që e ndërtonin ditën dhe çdo natë ajo rrëzohej. E atëherë takuan një të moçëm, i treguan çfarë ju ndodhte dhe ai i tha qe kështjella mund të ndërtohej vetëm nëse flijohej dikush, gruaja e parë që do u sillte drekën vëllezërve do të sakrifikoj për të ndërtuar kështjellën pra. Dy vëllezërit e mëdhenj u kthyen në shtëpi e të trembur se mbase ishin gratë e tyre që do sillnin drekën të nesërmen u treguan atyre të mos vinin. Vëllai i vogël e mbajti sekretin dhe ishte pikërisht nusja e tij lehonë që u ngjit në kështjellë e për rrjedhim u muros e gjallë në muret e saj. Ajo pranoi por kërkoi vetëm diçka, të ishin dy të çara për dorën dhe gjirin e saj, të kish mundësi të përkëdhelte dhe ushqente me gji foshnjën. Janë akoma këtu ato shenja. Është një legjendë e mrekullueshme e që atëherë kalaja nuk është rrëzuar kurrë”, thotë historiania italiane.
Vizita përfundon me një ecje freksusese në malet e Thethit – aty ku e blerta e maleve dhe e kaltra e ujit e qiellit, bashkëjetojnë me njëra-tjetrën në kulmin e dimensioneve të tyre.
E teksa Basha xhiron pikat kyçe të mrekullive të Thethit, profesoresha italiane vazhdon të shtjellojë edhe më tej njohuritë e saj mbi historinë vendit.
“Pasi keni qenë në kalanë e Shkodrës, nuk mund të mungojë si destinacion Parku Kombëtari i Thethit, një park i fshehur mes malesh të lartë të cilat krijojnë një ambient unik. Në qendër të luginës ndodhet kjo kishë, shumë e rëndësishme për kulturën shqiptare jo vetëm në aspektin religjioz por sepse një shkollë e hapur e publike, duke filluar prej vitit 1917 kur ajo ka hapur dyert për të gjithë fëmijët e zonës. Këtu ndodhet edhe varri i një albanologu mjaft të rëndësishëm (Robert Elsie) dhe ky është rasti për të sjelle një lule në vendin e tij të prehjes. Pak më tej gjeni edhe kaskata të mrekullueshme dhe akoma më tej mund të vizitoni Syrin e Kaltër të Thethit, një liqen me ngjyrë rubini, një vend i jashtëzakonshëm”, përfundon ajo.
Pamjet e bukura të Shkodrës dhe Thethit janë xhiruar dhe përpunuar nga artisti Korab Basha. /Telegrafi/