Kategoria e peshave të lehta ka qenë fokusi kryesor në ‘UFC 257’ në Etihad Arena të Abu Dhabit.
Dueli kryesor ishte ndërmjet Conor McGregor dhe Dustin Poirier, të cilin e fitoi ky i fundit me nokaut, derisa rekruti Michael Chandler triumfoi përballë Dan Hooker që në raundin e parë.
Dhe pas një evenimenti të tillë, GiveMeSport ka bërë renditjen e emrave më të mëdhenj të divizionin e peshave të lehta në kuadër të UFC-së.
Khabib Nurmagomedov mbetet kampioni i pamposhtur i kësaj kategorie dhe do të ishte në krye, megjithatë ai qëndron i pensionuar prandaj nuk renditet në listë.
Presidenti i UFC-së, Dana White, vazhdon përpjekjet për ta rikthyer dhe nëse do të ndodhte kjo, atëherë vendi i parë do të ishte i rezervuar për Khabib, i cili ka rekord 29-0 dhe vështirë se dikush do të mund t’i afrohej.
Dustin Poirier dhe Michael Chandler janë dy sportistët që do të garojnë për titull në rast se Nurmagomedov e dorëzon zyrtarisht, derisa Justin Gaethje është alternativë në pritje të shansit.
Charles Oliveira, Tony Ferguson e Dan Hooker, janë emrat e radhës që presin shansin për titull, derisa Conor McGregor, Rafael dos Anjos e Paul Felder kanë nevojë për një ringritje dhe triumfe të reja për ta fituar mundësinë që ta kërkojnë titullin.
Në listë janë edhe Al Iaquinta dhe Donald Cerrone, të cilët në kohët e fundit nuk kanë treguar mjaftueshëm për t’u ngjitur në renditje. /Telegrafi/