Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës i ka rekomanduar Senatit të UP-së ta miratojë një vendim të tyre nga mbledhja e mbajtur më 25.09.2024, përmes së cilit do të merren disa masa ndaj profesorit në Fakultetin Juridik në UP, Enver Hasani, si; degradim, ulje të gradës, revokim të mirënjohjeve e privilegjeve si ish-rektor, mohim të pjesëmarrjes në komisione profesionale për 3 vite etj. Enver Hasani i ka quajtur fiktive pretendimet e Këshillit të Etikës, derisa ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj kryesuesit të këtij Këshilli.
Profesori Enver Hasani është denoncuar në Këshillin e Etikës të UP-së nga dekani i Fakultetit Juridik në UP, Avni Puka, se ka bërë disa shkelje të rënda të Kodit të Etikës të UP-së.
Denoncimi i dekanit Puka ndaj profesorit Hasani përmban tri pretendime kryesore, në të cilat thuhet se: Hasani gjatë gjithë vitit akademik 2023/2024 nuk kishte mbajtur ligjërata; ka marrë thirrje akademike në mënyrë të kundërligjshme duke mos respektuar kohëzgjatjen e thirrjeve paraprake sipas Statutit të UP-së dhe ka dëmtuar vazhdimisht imazhin e Fakultetit Juridik dhe UP-së duke dhënë deklarata të ndryshme elektronike dhe audiovizuele.
Sipas vendimit të Këshillit të Etikës të UP-së, të cilin në rast se e miraton Senati i UP-së, profesori Hasani do të pësojë: degradim, ulje të gradës akademike nga profesor i rregullt në profesor i asocuar; revokim të mirënjohjeve dhe privilegjeve honorifike të Hasanit si ish-rektor i UP-së; mohim të pjesëmarrjes së Hasanit në komisione profesionale për tri vjet si dhe përfshirjes në mentorim të të gjitha niveleve për një vit vijues.
KALLXO.com ka kontaktuar me Hasanin, i cili i ka quajtur “fiktive” pretendimet e dekanit Puka ndaj tij, ndërsa ka paralajmëruar se do të ushtrojë kallëzim penal ndaj kryesuesit të Këshillit të Etikës të UP-së, Iset Morina.
“Ky vendim do të thotë është i Iset Morinës dhe Avni Pukës. Është huliganizëm klasik institucional, abuzim me pushtetin. Për këtë arsye, unë, javën tjetër do të bëj kallëzim penal kundër Iset Morinës. Vendimi është tërësisht i bazuar në pretendimet personale të Avni Pukës që janë fund e krye fiktive, nuk kanë lidhje me realitetin asnjë” – ka thënë Hasani, më 27.09.2024.
Këshilli i Etikës i UP-së ka vendosur për Hasanin në mungesë të dëshmisë së tij për këtë rast, derisa thonë se ia kishin ofruar hapësirën që ai të jap dëshmi. Enver Hasani thotë se kishte refuzuar dëshminë në Këshill të Etikës për shkaqe shëndetësore dhe se kishte kërkuar që të dëshmonte pasi të përfundonte terapinë mjekësore.
Po ashtu, vendimi i Këshillit të Etikës të UP-së është klasifikuar edhe si vërejtje me shkrim për Hasanin, përmes së cilës synohet që Hasani të përmbahet nga çfarëdo përdorimi i gjuhës së papërshtatshme, fyese, pa takt akademik dhe denigrues ndaj personelit të UP-së dhe Universitetit.
“Nuk dha dëshmi në Këshill të Etikës, por doli në intervista televizive”
Denoncimi për shkelje të rënda të Kodit të Etikës të Universitetit të Prishtinës dhe obligimeve akademike nga profesori Enver Hasani, i parashtruar nga dekani i Fakultetit Juridik të UP-së, Avni Puka, është pranuar nga Këshilli i Etikës i UP-së më 26.08.2024.
Një ditë më pas, më 27.08.2024, Këshilli i Etikës i UP-së thotë se e ka shqyrtuar denoncimin ndaj profesorit Hasani, të cilit në po atë ditë i është dërguar kërkesa mbi mundësinë dhe të drejtën për deklarim para Këshillit të Etikës në lidhje me pretendimet ndaj tij, në afat prej 15 ditësh.
Sipas Këshillit të Etikës të UP-së, dy ditë më pas, Hasani përmes e-mail u ka kërkuar që të përjashtohet kryesuesi i Këshillit të Etikës, Iset Morina për trajtimin e denoncimit ndaj tij. Hasani thotë se kishte konflikt interesi me Morinën.
Se pse kishte konflikt interesi me Iset Morinën, Hasani ka thënë se për Morinën kishte deklaruar se i kishte fshehur provat në rastin e ngacmimit seksual që u raportua kundrejt profesorit të Fakultetit të Edukimit në UP, Xhevat Krasniqi.
“Unë për Iset Morinën kur ishte rasti i ngacmimeve seksuale kam thanë që unë kam besu kur e ka marrë prej [nuk kuptohet] e kanë bo profesor universiteti, kam besu që është një jurist normal, unë nuk kisha besu që ai i fsheh provat, i ka fsheh provat e ngacmimit për 20 e sa vajza… dhe kam thënë – ai Këshill i Etikës duhet me pas probleme serioze me ndërgjegjen e vet, m’i fsheh provat, tash rasti ka shku në Prokurori” – ka thënë Hasani, më 27.09.2024.
Hasani u ka shkruar përsëri Këshillit të Etikës së UP-së, më 31.08.2024 dhe u ka kërkuar që në çdo seancë të zhvilluar nga Këshilli i Etikës ndaj tij, të jenë të pranishme edhe mediat dhe publiku.
Ndërsa, më 09.09.2024, Hasani i ka lajmëruar Këshillin e Etikës të UP-së përmes email-it se nuk mund të merrte pjesë në seancën e drejtpërdrejtë para Këshillit të Etikës të thirrur më 13.09.2024, për të dhënë dëshminë e tij, për shkaqe shëndetësore.
Pasi e kanë pranuar lajmërimin e Hasanit më 09.09.2024, Këshilli i Etikës i kishte ofruar mundësinë Hasanit që të paraqitet në seancë edhe në mënyrë virtuale. Hasani u është përgjigjur në të njëjtën ditë, duke refuzuar pjesëmarrjen në seancë për shkak të natyrës së sëmundjes dhe se vetëm pas tri javësh mund të jepte përgjigje.
Hasani e ka konfirmuar se nuk ka dëshmuar në mënyrë fizike apo në ndonjë mënyrë tjetër në Këshill të Etikës të UP-së. Ai është arsyetuar se pse nuk kishte pranuar të dëshmojë në formë online.
“Sepse, natyra e sëmundjes sime, kam thanë, ju kam tregu, nuk lejon, do të thotë këto tri javë të shqetësohem ose të merrem me asnjë sen tjetër, ashtu është ajo” – thotë Hasani.
Si përfundim, në seancën e datës 13.09.2024, me ftesë të Këshillit të Etikës, janë paraqitur dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka e një prodekan i këtij Fakulteti.
Në këtë rast, Këshilli i Etikës i UP-së kishte vendosur të mos i aprovojë kërkesat e Hasanit. Pra, nuk është përjashtuar kryesuesi i Këshillit të Etikës, Iset Morina nga trajtimi i denoncimit të Hasanit dhe nuk ka pasur kërkesë nga Rektorati i UP-së që në çdo seancë të zhvilluar ndaj Hasanit të marrin pjesë edhe mediat e publiku.
“Kryesuesi i KE-së, Iset Morina deklaroi se nuk është në konflikt interesi. Në asnjë rast, kryesuesi nuk është prononcuar asnjëherë kundër tij, por është z. Hasani që është deklaruar vazhdimisht kundër Këshillit të Etikës dhe kryesuesit. Këshilli i Etikës konsideron se deklaratat e palës së denoncuar kundër bartësit të institucionit nuk mund të përbëjnë konflikt interesi gjithnjë duke u bazuar në përkufizimin ligjor të konfliktit të interesit” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës të UP-së, të marrë më 13.09.2024.
“Këshilli i Etikës mund të mbajë seanca publike çdo herë, kur këtë e kërkon Rektorati i UP-së sipas praktikës së deritanishme në pajtim me rrethanat e rastit. Në rastin konkret, Këshilli i Etikës nuk ka pranuar kërkesë nga Rektorati për mbajtjen e ndonjë seance publike” – shkruan në vendimin e Këshillit të Etikës të UP-së, të marrë më 13.09.2024.
Për Hasanin është e papranueshme që Morina të vendoste për vetën në rast se kishte apo jo konflikt interesi mes tyre.
“Para katër dite unë kam kërkuar përjashtimin e tij… Ai ka nejt brenda, ka thanë – s’kam konflikt [interesi], ka vendosë për vetën bashkë me dy tjerë” – ka thënë Hasani, më 27.09.2024.
Në arsyetimin e vendimit të tyre të marrë më 25.09.2024, Këshilli i Etikës të UP-së thekson se Hasani nuk u është përgjigjur ftesës për pjesëmarrje drejtpërdrejt në seancë, me prezencë fizike apo virtualisht dhe se në të gjitha deklarimet e tij me shkrim adresuar Këshillit të Etikës, Hasani në asnjë rast nuk është deklaruar në lidhje me pretendimet kundrejt tij të paraqitura në denoncim dhe nuk ka dërguar asnjë fakt apo provë që i kundërshton të njëjtat.
Madje, Këshilli i Etikës të UP-së ka shtuar se në të njëjtën kohë Hasani merrte pjesë në intervista televizive.
“Në disa raste, edhe gjatë zhvillimit të procedurës, z. Hasani refuzonte thirrjen e Këshillit të Etikës për prezantim të kundërshtimeve të tij dhe deklarim, me arsyetimin për shkaqe shëndetësore, ndërsa në anën tjetër, në të njëjtën kohë merrte pjesë edhe fizikisht në intervista televizive” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës të UP-së ndaj Hasanit, të datës 25.09.2024.
Se ishte paraqitur në intervista televizive e nuk kishte shkuar të dëshmonte para Këshillit të Etikës të UP-së, Hasani e ka quajtur “përndjekje”.
“Ti a po e sheh që është përndjekje kjo. Kam drejt dhe unë do dalë prapë, kam dalë dhe dalë dhe ajo nuk ka lidhje me rastin” – ka shtuar Hasani.
Këshilli i Etikës i UP-së nuk e ka konsideruar pjesëmarrjen dhe deklarimin e Hasanit vetëm si të drejtë elementare të tij, si palë në këtë rast, por edhe si detyrim të anëtarit të personelit akademik.
“z.Enver Hasani jo vetëm që nuk ka bashkëpunuar me organet legjitimet të Universitetit për çështjen e referuar, por ai ka sabotuar dhe përbuzur në vazhdimësi me Institucionin si punëdhënësi i tij. Kjo bie ndesh direkt me detyrimet statutare dhe kontraktore të tij dhe një qasje e tillë e tij nuk mund të tolerohet” – kanë theksuar nga Këshilli i Etikës.
Si përfundim, Këshilli i Etikës i UP-së mendon se ka ndërmarrë të gjitha masat që trajtimi i palës dhe çështjes të zhvillohet me dinjitet dhe se i është dhënë mundësia për paraqitjen e kundërshtimeve dhe provave, si dhe është siguruar mbajtja e seancave dëgjimore.
Pretendim 1: Asnjë ligjëratë e profesorit Enver Hasani në tërë vitin akademik 2023/2024
Këshilli i Etikës i UP-së ka paraqitur shqyrtimin e veçantë dhe substancial për secilin pretendim të përfshirë në denoncimin ndaj profesorit të Fakultetit Juridik në UP, Enver Hasani.
Pretendohet se Hasani në tërë vitin akademik 2023/2024 nuk ka mbajtur një ligjëratë të vetme dhe se për këtë mosrespektim të detyrës kontraktore ai nuk ka pasur ndonjë leje apo lirim për mos mbajtje të mësimit nga menaxhmenti i Fakultetit Juridik apo i Universitetit.
Këtë pretendim, sipas Këshillit të Etikës të UP-së, Hasani nuk e ka kundërshtuar me ndonjë provë apo fakt.
“Për më tepër, vërtetohet se pala e denoncuar, z.Hasani, për mungesën dhe mos mbajtjen e ligjëratave nuk kishte marrë asnjëherë leje apo vendim nga organet kompetente të Universitetit të Prishtinës” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës të UP-së, të marrë më 25.09.2024.
Këshilli ka vlerësuar se Hasani ka shkelur rëndë obligimet kontraktuale, por edhe rregullat etike të sjelljes institucionale për njoftim të eprorëve dhe të dekanit, të përcaktuara me rregulloren për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të UP-së të datës 19.07.2013.
“Mos-njoftimi i Dekanatit për mungesën në punë për një kohë më të gjatë paraqet injorim ndaj institucionit. Përkundër arsyeve shëndetësore për këtë mungesë, të deklaruara nga z. Hasani (nuk është prezantuar ndonjë dëshmi apo raport mjekësor), e të cilat janë plotësisht të mirë kuptueshme, por edhe për mungesat e kësaj natyre, ka rregulla të caktuara” – ka theksuar Këshilli i Etikës në vendimin e marrë më 25.09.2024.
Hasani thotë se kishte marrë leje në një grup në Viber të Katedrës Ndërkombëtare, ku ishte përgjigjur, sipas Hasanit, edhe rektori i UP-së, Qerim Qerimi.
“Unë kam qenë i diagnostikum me një sëmundje të keqe dhe me 20 prill të vitit të kaluar [2023] kam marrë leje në listën email-ing list të Katedrës Ndërkombëtare nga rektori Qerim Qerimi, sepse ai është pjesë e asaj Katedre dhe pastaj nuk ka qenë detyrë e imja me u marrë me asgjë tjetër, pos me shëndetin tim për shkak natyrës sëmundjes që e kam edhe sot” – ka thënë Hasani, më 27.09.2024.
Hasani i ka ndarë mesazhet që pretendon që i kishte shkëmbyer në grupin në Viber, në të cilat pretendon se i kishte dhënë leje rektori Qerimi për të munguar në Fakultet, pasi i kishte informuar se për shkak të gjendjes shëndetësore duhej të mbuloheshin lëndët e tij.
“Uroj që analizat të provojnë se çfarëdo që keni është kalimtare dhe jo-serioze. Asnjë nevojë për të paraqitur dokumentacion për sado që mungesa mund të jetë e nevojshme” – pretendohet t’i jetë përgjigjur Hasanit, rektori Qerimi, më 20.04.2023.
Kur u pyet se a i ka ndarë me Këshillin e Etikës të UP-së këto mesazhe, ai ka thënë se nuk kishte seancë publike.
Gjithashtu, Këshilli i Etikës ka vlerësuar se mungesa e Hasanit në vendin e punës dhe mbajtjen e ligjëratave për një vit të tërë akademik pa ndonjë vendim lirues është bazë për shqyrtimin e masës më të rëndë të shkëputjes së marrëdhënies së punës me Universitetin.
Tutje, Këshilli i Etikës njofton se në procesin e monitorimit të mbajtjes apo jo të ligjëratave nga Hasani, në vitin akademik 2023/2024, ishte përfshirë edhe Agjencia e Kosovës për Akreditim, e cila thuhet se ka hartuar edhe një raport për këtë çështje.
Ndërkaq, sipas të dhënave financiare, Këshilli i Etikës i UP-së ka përmendur se është konstatuar se Hasani gjatë vitit akademik 2023/2024 (01.10.2023 – 31.05.2024) është paguar për normë dhe mbi normë, në shumën prej 15,171.29 euro.
“Në këtë proces të monitorimit është përfshirë edhe Agjencia e Kosovës për Akreditim, e cila edhe ka hartuar një raport dhe ka marrë informacione se ligjëratat nuk janë mbajtur sipas planprogramit të paraqitur dhe të aprovuar. Gjithashtu, KE nuk ka arritur në përfundimin se në çfarë baze është realizuar zëvendësimi i ligjëratave nga kolegët dhe atë në tërë vitin akademik dhe atë pa njoftuar Dekanatin” – kanë shtuar nga Këshilli i Etikës i UP-së.
Për këtë pretendim, Këshilli i Etikës ka arritur në konstatimin se nevojiten informata shtesë dhe bashkëpunim sidomos të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për të vendosur meritorisht sipas kornizës normative dhe se me këtë pezullohet procedura para Këshillit të Etikës me përbërje aktuale dhe me këto pretendime do të merret Këshilli i Etikës me përbërje të re
Pretendim 2: Nga profesor i asocuar në profesor i rregullt, në kundërshtim me Statutin e UP-së të vitit 2004
Për pretendimin e dytë ndaj profesorit Enver Hasani, në të cilin thuhet se ka marrë gradën profesor i rregullt në kundërshtim me Statutin e Universitetit të Prishtinës të vitit 2004, Këshilli i Etikës e ka konstatuar këtë gjendje sipas së cilës, ishte e përcaktuar që gradat shkencore dhe emërimet në tituj zgjasin për periudhën katër vjet.
Pretendohet se Hasani, një muaj pas zgjedhjes rektor, duke qenë edhe kryesues i Senatit, më 28.07.2006, ishte avancuar në thirrjen e profesorit të asocuar.
“Pa kaluar periudha katër vjeçare, nga avancimi i fundit është emëruar me datë 30.06.2009, në gradën e profesorit të rregullt, që nënkupton brenda një periudhe më pak se 3 vjet. Sipas Statutit të Universitetit të Prishtinës të vitit 2004, neni 183, përcaktohet se gradat shkencore dhe emërimet në tituj zgjasin për periudhën katër vjet” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës të UP-së, më 25.09.2024.
Edhe këtë pretendim, sipas Këshillit të Etikës, Hasani nuk e ka kundërshtuar me asnjë provë apo fakt.
E Hasani thotë se nuk kishte qenë rektor i UP-së në atë kohë kur po flitet nga Këshilli i Etikës, por kishte qenë kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe se sipas tij, Statuti i UP-së i vitit 2004 nuk kishte ndonjë ndalesë për avancim.
“26.06.2006 jam zgjedhë rektor [i UP-së], kam dhanë dorëheqje në maj, 2009. 26.05.2009 kam marrë postin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese” – tha Hasani.
“Në 2001 jam zgjedhur për herë të parë profesor, në 2009 jam zgjedhur në thirrjen e fundit, që i bie m’i nda, secilën herë kah tri vjet. Statuti i atëhershëm, duhet me ditë ti, i 2004-it që ka qenë në fuqi, nuk ka pas rregulla për avancim atëherë, sikur tash që janë, atëherë nuk ka pasë asnjë ndalesë, me marrë Statutin me gjetë, nuk ka pas ndalesa për kalim në thirrje, për gjashtë muaj i kanë marrë kah dy thirrje njerëzit” – ka shtuar Hasani.
Në denoncimin e dekanit Puka ndaj Hasanit që ka siguruar KALLXO.com, është bashkangjitur edhe neni 183 dhe 184 i Statutit të UP-së të vitit 2004. Në të dy këto nene të Statutit të UP-së të vitit 2004, janë përcaktuar kushtet që duhet të plotësohen për kandidatin për titullin profesor i asocuar e profesor i rregullt.
Njëri nga kushtet për të dy avancimet, në profesor i asocuar apo i rregullt, në Statutin e UP-së të vitit 2004 kishte qenë që “Të gjitha emërimet për tituj si dhe kohëzgjatja e punësimit është për katër vite”.
Në një vendim të UP-së, që daton më 06.12.2001, Hasani ishte emëruar asistent profesor në Fakultetin Filozofik, drejtimi i Shkencave Politike dhe Administratë Publike për lëndën – Hyrje në Shkencat Politike. Edhe në këtë vendim është shkruar se “emërimi zgjat për periudhën prej katër vitesh”.
Në një vendim tjetër të UP-së, më 20.05.2002, Hasani ishte emëruar asistent profesor në Fakultetin Juridik për lëndën – E Drejta Ndërkombëtare Publike.
Sipas një vendimi të UP-së, Hasani ishte zgjedhur rektor më 29.06.2006, për periudhën tri-vjeçare, deri më 30.09.2009. Ndërsa, në një dekret të presidentit të atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu, më 12.06.2009, Hasani ishte emëruar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës figuron që Hasani ishte kryetar i Gjykatës Kushtetuese nga qershori i vitit 2009 deri në qershor të vitit 2015.
Profesor i asocuar në Fakultetin Filozofik të UP-së, për lëndën – E Drejta Ndërkombëtare Publike, Hasani ishte emëruar me një vendim të UP-së, më 03.08.2006.
Kurse, përmes një vendimi të UP-së të datës 08.07.2009, Hasani ishte zgjedhur profesor i rregullt për lëndën – E Drejta Ndërkombëtare Publike në Fakultetin Juridik të UP-së. Ky vendim ishte nënshkruar nga ish-rektori i UP-së, Marian Dema.
Dhe ka një kontratë të punës të Hasanit si profesor i rregullt në Fakultetin Juridik të UP-së, që daton më 15.07.2009, e nënshkruar nga Hasani dhe ish-rektori Dema.
Pretendim 3: UP u ofendua, përbuzë nga deklaratat publike të profesorit Enver Hasani
Për pretendimin e fundit, në të cilin thuhet se profesori Enver Hasani ka dhënë deklarime publike në media elektronike e audiovizuele duke dëmtuar imazhin e UP-së, Këshilli i Etikës i UP-së ka ardhur në përfundimin se këto deklarime të tij përbëjnë shkelje të rëndë të rregullave bazike të etikës për stafin akademik të UP-së.
“Përmes këtyre deklaratave publike i është cenuar dinjiteti dhe imazhi i Universitetit të Prishtinës dhe personelit të caktuar akademik në vazhdimësi, në mënyrë përbuzëse dhe ofenduese. Këto deklarata ofenduese të z. Hasani, janë të paprecedentë, janë tejet të dëmshme dhe me qëllime keqbërëse e denigruese” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës, më 25.09.2024.
Këshilli i Etikës ka potencuar se Hasani nuk ka marrë as mundin më të vogël për kundërshtimin e këtyre fakteve të prezantuara apo ndonjë revokim, pendesë për deklarata të tilla fyese edhe atë në vazhdimësi ndaj UP-së.
“Për më tepër, pala e denoncuar ka vazhduar me deklarime të pamatura dhe me gjuhë të papërshtatshme dhe fyese ndaj organeve të Universitetit dhe vetë Institucionit të Universitetit edhe pas fillimit të procedurës etike para organeve legjitime të Universitetit” – kanë theksuar nga Këshilli i Etikës.
Hasani i kundërpërgjigjet këtij pretendimi duke thënë se në denoncimin e dekanit të Fakultetit Juridik në UP, Avni Puka, janë përmendur krejt çka ka folur Hasani në 20 vjetët e fundit.
Me këtë rast ai ka përmendur se si kishte folur për Pukën se ka, sipas Hasanit, diplomë ‘false’ dhe se ka gënjyer se ka doktoruar në Universitetin e Romës “La Sapienza”.
“Por, që ta dish, lirinë e shprehjes, as Avni Puka, as Iset Morina, lirinë time kushtetuese të shprehjes nuk do ma ndalin kurrë. Unë me emër, me mbiemër kam folur për Avni Pukën që e ka diplomën fals dhe e ka, ka rrejt se s’ka doktoruar në [Universitetin e Romës] “La Sapienza”, kurse për Iset Morinën kam thanë që ngacmimet seksuale e kanë terrorizuar Kosovën duke i fsheh provat” – është shprehur Hasani për KALLXO.com, më 27.09.2024.
Këshilli i Etikës deklarohet se nuk është qëllimi në asnjë mënyrë kufizimi i lirisë së shprehjes, por pretendimet e Hasanit kundrejt kolegëve duhet të adresohen në mënyrë institucionale dhe mekanizmave ligjor për trajtimin e tyre.
“Këshilli i Etikës konstaton se deklaratat e drejtuara të palës së denoncuar “se është duke i luftuar dukuritë negative në Universitet dhe ka të drejtën e shprehjes së lirë” nuk legjitimon sjelljen thellësisht abuzive dhe përçmuese ndaj personelit dhe Universitetit. Secili person i stafit akademik dhe jo akademik është i detyruar dhe ka përgjegjësinë për ruajtjen e imazhit të UP si brenda ashtu edhe jashtë tij” – kanë theksuar Këshilli i Etikës.
“Një pjesë e tyre janë pjesë e atyre që i kam pru në Universitet… jo që i kam pru, por edhe gratë ua kam punësu disave” – citohet të ketë deklaruar profesori Hasani në media.
“Është e vërtetë, disa i kam pru në Universitet dhe ua kam punësuar gratë, s’kam përmend me emra, është e drejt e imja. Më fal, çka ka këtu të keqe?” – ka thënë Hasani.
Mohimi i mirënjohjeve të UP-së dhe vërejtja me shkrim ndaj profesorit Hasani
Këshilli i Etikës i UP-së, ia ka mohuar profesorit Enver Hasani, mbajtjen e ndonjë mirënjohjeje apo privilegji të dhënë nga Universiteti, në rastin e tij, që ka pasur edhe pozitën e rektorit të UP-së, pozitë kjo të cilën Këshilli i Etikës konstaton se kërkon sjellje shembullore dhe afirmim të vazhdueshëm të imazhit të Universitetit.
“Shfrytëzimi i këtij autoriteti për të dëmtuar imazhin e universitetit, siç është konstatuar në rastin e z. Hasani si ish-rektor, nuk arsyeton mbajtjen e asnjë mirënjohje apo privilegji të dhënë nga Universiteti” – thuhet në vendimin e Këshillit të Etikës të UP-së, të marrë më 25.09.2024.
Hasani thotë se nuk e dinë çfarë privilegjesh ka si ish-rektor i UP-së.
“Absurd, unë nuk e di cilat janë, çfarë privilegjesh honorifike aty kam si ish-rektor” – tha Hasani.
Këshilli i Etikës i UP-së i ka rekomanduar Senatit të UP-së që të përmbahet nga masa e ndërprerjes së marrëdhënies së punës të Hasanit, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.
“KE ka konstatuar se masa e ndërprerjes së punës do të mund të konsiderohet plotësisht proporcionale me shkeljet e rënda të konstatuara. Por, duke pasur parasysh konsideratat humane për gjendjen shëndetësore, KE i rekomandon Senatit akademik të përmbahet nga masa e ndërprerjes së marrëdhënies së punës dhe të vendosë masat e rekomanduara si më lartë në dispozitiv të këtij rekomandimi” – kanë thënë nga Këshilli i Etikës.
Në këtë rast, Hasani ka vlerësuar se i është shkelur privatësia.
“Kjo është rrugaçëri ordinere… shkelje e drejtës themelore për privatësi, për liri të shprehjes dhe të emërimit dhe bazuar mbi komplet të dhëna fiktive, asnjë seancë s’kam qenë, ju kam tregu që e kam ciklin e terapisë që ka përfundu dje fiks, qysh e kam thanë… Por pa asnjë seancë, këta prapë kanë vendosë se ata sot, nesër e dorëzojnë detyrën dhe që ta dini, shëno aty, tre vetë janë, nuk kanë vendosur krejt Këshilli Etikës, tre vetë kanë qenë prezent” – ka thënë Hasani.
Hasani e ka pohuar se do ta vazhdojë punën në UP edhe në rast se miratohen masat ndaj tij nga Senati i UP-së, si dhe, do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore.
“Unë pres që Senati nuk i miraton [këto masa]… Pa asnjë diskutim, unë vazhdoj punën time” – ka shtuar Hasani.
Dhe vërejtjen me shkrim që të përmbahet nga çfarëdo përdorimi i gjuhës papërshtatshme, fyese, pa takt akademik dhe denigrues ndaj personelit dhe punëdhënësit të UP-së, Hasani e ka krahasuar me kohën e komunizmit.
“Kjo është do të thotë turpi… që mund të ndodhë, pos ne që e mbajmë mend komunizmin, në kohë të komunizmit na ndodhke kështu, kanë qenë ato trupat komuniste që nuk na lenin me folë atë që donim. Unë nuk e kam ndërmend, siç kam folë deri tani për të gjitha fenomenet që kanë interes publik, individë dhe fenomene, no përjashti, që ta ndalojë gojën do të thotë flas, siç kam folë deri më tani” – është përgjigjur Hasani.
Kundër vendimit të Senatit të UP-së për miratimin e rekomandimit të Këshillit të Etikës të UP-së, Hasanit i lejohet të bëjë ankesë te Këshilli Drejtues i UP-së, pas pranimit të vendimit të Senatit të UP-së.
Këshilli i Etikës së UP-së përbëhet nga katër anëtarë burra: Iset Morina (kryetar), Skender Muji, Arben Hajdari dhe Rrezeart Galica./KALLXO.com