Ministri në detyrë i Integrimit Evropian Blerim Reka, takoi sot Danijela Barisic, ambasadoren e Kroacisë, të shtetit kryesues të Bashkimit Evropian, ndërsa u tha se Presidenca Kroate e BE-së mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën.
Duke ndarë shqetësimet e përbashkëta për pasojat e coronavirusit, ministri në detyrë Reka e njoftoi ambasadoren Barisic, se edhe në këto rrethana pandemie, Qeveria në detyrë dhe Ministria për Integrim Evropian, vazhdojnë përkushtimin e tyre në jetësimin e reformave të agjendës evropiane.
Ai njoftoi se në mbledhjen e fundit të Qeverisë, pesë çështje të miratuara nga Qeveria, ishin pikërisht ato që lidhen me Bashkimin Evropian, siç janë: nisma për marrëveshjen IPA 2019 (pjesa e dytë), pastaj për IPA 2020, si dhe marrëveshjet trepalëshe financiare IPA II në mes të: Kosovës, BE dhe Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
“Poashtu, edhe në këtë periudhë, ndonëse në rrethana të kufizimeve me pandeminë, Ministria vazhdoi të jap kontributin e kërkuar nga Brukseli në lidhje me raportin vjetor për vendin, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe Agjendës për Reforma Evropiane”, thuhet në njoftim.
Duke iu falënderuar BE-së për ndihmën e parë emergjente prej 5 milionë euro për përballjen me pandeminë dhe ato të premtuarat prej 160 milionë euro, Reka, kërkoi që Presidenca Kroate e BE të përkrahë dhe shtyjë përpara çështjen tashmë të tejzgjatur të liberalizimit të vizave.
Ambasadorja Barisic, përsëriti përkrahjen e Kroacisë – si mike e Kosovës, për rrugën evropiane të Kosovës dhe mbështetjen e saj për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
Ajo informoi ministrin Reka për datën e Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Zagreb, se edhe pse ishte paracaktuar të mbahej në javën e parë të majit, data e samitit shtyhet për qershorin e vitit 2020 për shkak të shpërthimit të COVID-19.
Lidhur me këtë, Ambasadorja Barisic theksoi se në bashkëpunim me Presidentin Charles Michel, po përpiqen të gjejnë datën e re në qershor, për të organizuar Samitin BE-Ballkan Perëndimor, në Zagreb. /Telegrafi/