Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edy Reja, shprehu gjithë zhgënjimin e tij për humbjen ndaj Islandës, një disfatë e pamerituar për kuqezinjtë, të cilëve sipas tij, iu mohua edhe një penallti, gjithsesi italiani ishte i kënaqur me paraqitjen e skuadrës në tërësi.
“Është për të ardhur keq, pasi e nisëm mirë. 20 minutat e para krijuam shumë raste. Pastaj rendimenti fizik filloi të bie”, ka thënë përzgjedhësi në intervistën për Supersport pas ndeshjes.
“Megjithatë, mund të shënonim, pasi na u mohua një penallti. Ajo që prisnim ne nga goditjet e këndit, nuk sollën atë që ne mendonim. Krijuam shumë raste dhe është për të ardhur keq. Disa episode mund të ishin konsideruar penallti”, ka shtuar trajneri.
Duke e komentuar golin e pranuar, kur lojtari islandez e kaloi gjithë mbrojtjen, Reja është shprehur: “Pavarësisht aftësive të dukshme të lojtarit që dribloi, ne nuk duhet ta lejonim. I iku të parit, të dytit, i treti duhet ta ndalte medoemos. Megjithatë, ishin aftësitë e tij”.
“Bëmë një ndeshje të mirë, patëm raste, por nuk i konkretizuam. Nëse nuk e bën diçka të tillë, atëherë është problem. U munduam të krijojmë raste, sikurse edhe ata me goditje standarde. Loja do merrte rrjedhë tjetër po të finalizonim. Shënuan ata dhe ia dolën. Na vjen keq”, ka shtuar përzgjedhësi i Kuqezinjve.