Site icon Telegrafi

Reja: Na duhet agresivitet dhe shpejtësi për të tentuar befasinë ndaj Francës

Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Edi Reja doli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Francës në “Saint Denis”, e vlefshme për eliminatoret e Euro 2020-ës.

Tekniku italian bëri thirrje që skuadra të luajë e mobilizuar maksimalisht dhe të shmangë gabimet, për të shpresuar në një rezultat pozitiv.

Çfarë do t’u këshilloni futbollistëve të tu, për ndeshjen ndaj kampionëve të botës?

I këshilloj të mos bëjnë gabime dhe t’i japin sa më pak hapësira Francës. Duhet të japim maksimumin dhe të mbyllim çdo hapësirë, pasi një gabim i vogël, mund të kushtojë shtrenjtë.

Njëkohësisht duhet të jemi gati për të shfrytëzuar hapësirat që do të na lërë kundërshtari.

Bashkë me trajnerin e Francës, keni drejtuar të dy në të njëjtin sezon, në Serinë B. Cilat janë pikat e dobëta që mbani mend nga Deschamps?

Deschamps është një mik, për të cilin unë kam shumë respekt. Ai nuk do të rrezikojë dhe nuk do t’i hedhë të gjithë lojtarët e tij në sulm, por do të kërkojë një ekuilibër taktik.

Ka në skuadër futbollistë shumë të mirë taktikisht, që zbresin shpejt në kundërsulm dhe dinë të shfrytëzojnë hapësirat sado të vogla.

Nesër na duhen muskuj e centimetra, apo shpejtësi e teknikë?

Do të na duhet më shumë shpejtësi dhe agresivitet në markim. Franca ka shumë cilësi dhe Griezmann është një futbollist që shfrytëzon çdo lloj hapësira e mund të na vërë në vështirësi edhe nga hiçi. Duhet të rreshtohemi mirë, të jemi agresivë dhe t’i markojmë kundërshtarët në çdo cep të fushës.

Luani ndaj një kundërshtari me shumë futbollistë të mëdhenj. A është imazhi i Hysajt është ai që do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë takim?

Hysaj është sigurisht një futbollist i rëndësishëm dhe me një eksperiencë të madhe ndërkombëtare. Është shumë i mirë në planin difensiv, por nuk mjafton vetëm ai, sepse duhet të luajmë të gjithë një ndeshje të madhe. Ne duhet të formojmë një skuadër me grup të fortë dhe të dyfishojmë markimet.

Ata do të na hapin probleme, por duhet të bëjmë kujdes dhe të mos mbyllemi në mbrojtje. Duhet t’u rrëmbejmë topin sa më shpejt të mundemi dhe të tentojmë t’i vëmë në vështirësi. Unë kam nevojë për 11 luanë nesër, pasi nuk luftohet vetëm me Hysajn.

Deschamps pranoi se e njeh shumë mirë Shqipërinë dhe se dinte për ndryshimin e skemës, me ardhjen tuaj. Lajm i mirë apo i keq?

Lajm i keq, pasi sa më pak të të njohin, aq më mirë është. Megjithatë ai do të kërkojë që lojën ta bëjë skuadra e tij dhe jo t’u përshtatet karakteristikave të tij.

Më vjen mirë që ai ka konsideratë për Shqipërinë, pasi që kur kam ardhur, skuadra luan më e organizuar dhe këtë e kemi treguar në fushë.

Megjithatë çdo ndeshje studiohet me detaje dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por do të tentojmë të dalim me pikë. Nuk falet asnjë ndeshje, pasi fillimisht duhet të luhet dhe më pas të shohim rezultatin.

Franca shënon shpesh nga goditjet standarde. I keni marrë masat për këtë?

E njohim Francën dhe lojtarët e saj. Kanë një prezencë fizike të konsiderueshme, por edhe ne kemi lojtarë shtatlartë, që janë shumë të aftë në lojën në ajër. Ne do të tentojmë ta vëmë në vështirësi Francën edhe në rastet tona nga goditjet standarde. /ss/

Exit mobile version