Telegrafi

Reja: Kontrata ime përfundoi sot, dua të vazhdoj punën te Shqipëria

Përzgjedhësi i Shqipërisë, ka folur pas humbjes nga Franca 2-0 në stadiumin e ri ‘Air Albania’.

Reja foli edhe për kontratën me Shqipërinë, që i skadon që nga sot.

Ai kishte kontratë me Shqipërinë deri në sfidën e fundit në eliminatore për Euro 2020, çka do të thotë se kontrata tashmë ka përfunduar.

Pse ekipi u tregua dhe u duk i dorëzuar në këto dy ndeshje?

Me Andorrën ishim superiorë, edhe pse me një lojë të dobët. Fakti që nuk flitej më për kualifikim, na bëri që të ulim vëmendjen për atë ndeshje, dhe doli ajo ndeshje e dobët. Sot, ndaj kampionëve të botës, bëmë një pjesë të dytë të mirë. Rrugëtimi i skuadrës ka qenë i mirë, kemi sjellë risi në kombëtare. Doja ta mbyllnim më mirë, por nuk shkoi kështu.

Jeni i kënaqur me eksperimentet që keni bërë sot?

Në pjesën e parë provova lojtarë që kishin 5 muaj që vinin me ne, por nuk kishin minuta në lojë. Doja t’i shikoja dhe në fushë, veç stërvitjes. Jam munduar t’i shoh të gjithë. Kam provuar 25 lojtarë. Mund ta bëja dhe më parë, po të vija 1 vit më herët te Shqipëria. Mund të merrnim pikë me Islandën, Turqinë. Por, kjo skuadër më ka dhënë një kënaqësi, sepse ka pasur një rritje. Dhe kjo ka qenë e rëndësishme.

Do rikonfirmoheni në detyrën tuaj?

Nuk e di akoma. Kontrata ime përfundon sot. Me presidentin nuk i kemi biseduar detajet. Eksperienca me Kombëtaren më ka pëlqyer, dhe do doja ta vijoja.