Sot (e martë) në Kosovë dhe Shqipëri u kremtua festa e 28 nëntorit, e njohur për të gjithë si festa e flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndjenja patriotizmi pati sot te të gjithë shqiptarët, të cilët në një ditë si kjo festojnë pavarësinë, me falënderimet më të mëdha për ata që vuajtën duke dhënë gjithçka për lirinë që e gëzojmë sot.
Bashkëshortja e ish-deputetit, Ukë Rugova, Blerta Kllokoqi-Rugova ka zgjedhur një urim të veçantë sot (e martë) me rastin e festës së 28 nëntorit.
E njëjta, e cila tash e sa vite ushtron profesionin e ligjërueses në një nga universitetet në Kosovë, ka zgjedhur që përmes rrjetit social Facebook, t’iu urojë ndjekësve të saj këtë festë kombëtare.
Blerta jo rastësisht, ka vendosur që urimin e sotëm ta ketë të njëjtë me atë të vjehrrit të saj, presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Me urime të përzemërta dhe plot bekime për shqiptarët, Ibrahim Rugova e kishte përmbyllur urimin e tij të fundit për 28 nëntorin, para se vdekja ta gjente atë në janarin e 2006-s.
Ky është urimi që transmetoi sot për ndjekësit e saj, reja e Ibrahim Rugovës, Blerta Kllokoqi-Rugova:
“Sot, unë dua të u uroj 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, me një urim të Presidentit tonë historik Dr. Ibrahim Rugova në Nëntor të vitit 2005:
‘Qytetarë të nderuar të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj, Ju shpreh urimet e mia të përzemërta për Ditën e Flamurit – 28 Nëntorin.
Sot të gjithë e themi me krenari se 28 Nëntori i vitit 1912, Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë gjithëshqiptare që u përgjysmua, është dita më e rëndësishme në historinë moderne të kombit tonë, pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, që këtë vit bie në 600-vjetorin e lindjes së Tij.
Dhashtë Zoti që sa më shpejt të gëzojmë njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga miqtë tanë, çfarë do të qetësonte popullin e Kosovës dhe këtë pjesë të Europës e të botës.
Zoti e bekoftë Ditën e Flamurit!
Zoti i bekoftë shqiptarët!
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën!’
Urime!” (sic.), është urimi i fundit i presidentit historik, i publikuar sot nga Kllokoqi-Rugova. /Telegrafi/