Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e Drejtorit Rajonal të Mitrovicës së Veriut, Nenad Gjuriq, pasi i njëjti ka refuzuar të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.
I njëjti dyshohet se kryer veprat penale “Sabotim” dhe “Thirrja për rezistencë” të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Krahas hetimit penal do të shikohet edhe përgjegjësia administrative. Andaj, duke marrë për bazë dyshimin për veprat penale në hetimin e këtij rasti, bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së është rekomanduar suspendimi i të njëjtit”, thuhet në komunikatën për media.
Veprimet tjera hetimore thuhet se do të ndërmerren nga hetuesit e IPK-së, në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit.
Ndryshe, Gjuriq ka deklaruar të mërkurën se policët në veri të Kosovës nuk do të zbatojë vendimin e Qeverisë për shpërndarjen e fletave qortuese, për shoferët që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia.
“Ne nuk mund ta zbatojmë atë vendim sepse ai është politik dhe i drejtuar kryesisht kundër komunitetit serb, të cilit i përkasim edhe ne vetë”, ka thënë ai, duke shtuar se “patrulla të njësive të trafikut nga Prishtina janë dërguar në veri, për të ushtruar presion”.
Gjuriq i ka bërë këto deklarata, pas takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë dhe katër kryetarëve të komunave në veri, të banuara me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok). /Telegrafi/