Telegrafi

Reforma në sistemin gjyqësor, Kurti paralajmëron fillimin e Vettingut dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme

Kryeministri i vendit, Albin Kurti sot në një konferencë për media ka njoftuar për fillimin e reformës siç e quajti ai substanciale në sistemin gjyqësor, Vettingun dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Kurti në një konferencë për media me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se rivlerësimin dhe verifikimin e aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor e prokurorial e nisin me mekanizmat e jashtëm të pavarur nga çdo ndërhyrje.

“Sot jam para jush për të prezantuar fillimin e reformës substanciale në sistemin gjyqësor, Vettingut dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme…. Të dy këto të vlerësuar lartë edhe nga Komisioni i Venecias që Qeverisë së Kosovës ia ka falur besimin e plotë për të jetësuar reformën e premtuar”, tha kryeministri.

Sipas tij, drejtësia dhe sundimi i ligjit janë shtylla të shtetit demokratik.

“…Programi ynë synon drejtësi…  Është detyrë e jona që të veprojmë përmes reformave përmbajtjesore në dobi të sundimit të ligjit, pushtet të fuqishëm gjyqësor përmes prokurorëve energjik e gjyqtarëve të mençur”, tha ai.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se të gjithë janë dëshmitar të njollosjes së shpeshtë të gjyqësorit nga vet gjyqtarë e prokurorë me veprime të pandërgjegjshme, të pamatura e të ndikuara politikisht.

“Gjyqësori i tillë sfidon shtetësinë…gjyqësor të atillë nuk duam”, tha ai.

Sipas tij, reformimi i gjyqësorit për brenda nën ndikimin e mekanizmave aktual e akterëve momental nuk është i mundur. “Këtë e kemi të konfirmuar edhe me opinionin e pranuara nga Komisioni i Venecias”, tha Kurti.

“Përderisa nuk ka dyshim që mekanizmat e ndërtuar kanë potencial të sigurojnë pavarësi, të njëjtën nuk mund ta bëjmë nën drejtimin e gjyqtarëve e prokurorëve, me dyshimin për mungesë etike, profesionalizmi e efikasiteti.

Prandaj rivlerësimi e verifikimin e aftësive të krerëve të pushtetit gjyqësor e prokurorial e nisim me mekanizmat e jashtëm të pavarur nga çdo ndërhyrje”, tha kryeministri, gjatë prezantimit të fillimit të reformës në sistemin gjyqësor.

Ai më tej tha se Komisioni i Venecias i bindë se reformat e propozuar janë adekuate dhe në pajtim me politikat e shteteve demokratike.

“Vettingu është i domosdoshëm porsi edhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme. Sot fillojmë me jetësimin e punës njëvjeçare së Ministrisë së Drejtësisë në realizmin e këtyre proceseve jetike për Kosovën me përkrahjen e Komisionit të Venecias”, tha ai, duke shtuar se reforma më nuk mund të pres. /Telegrafi/