Ish-futbollisti i Liverpoolit, Jamie Redknapp, thotë se arsyeja pse Pep Guardiola e quajti Sadio Manen simulues, është se ai ka frikë nga futbollisti i ‘Redsave’.
Trajneri i Manchester Cityt deklaroi për Sky Sports se sulmuesi senegalez nganjëherë simulon dhe nganjëherë shënon gola të bukur në minutat e fundit.
“Ta dëgjosh Pep Guardiolan duke thënë se Mane është simulues, ishte befasi. Është e pazakontë kur një trajner thotë diçka të tillë për një lojtar rival, por nuk mendoj se Guardiola është përpjekur që t’i bëjë presion Manes para derbit të të dielës në Anfield”.
“Nuk ishte pjesë e aspektit mental të ndeshjes ose një ngacmim i qëllimshëm. Mendoj se Guardiola në thelb ia ka frikën rrezikun që paraqet Mane”.
“Trajneri i Manchester Cityt e ka atë në mendje. Ai e di se 27-vjeçari aktualisht është lojtari më i rrezikshëm i Liverpoolit. Është njeriu kryesor i Jurgen Klopp dhe këtë e dëshmoi të shtunën”, ka deklaruar Redknapp për Daily Mail. /Telegrafi/