Site icon Telegrafi

Rebic e zbulon se mund të përfundonte te Interi: Agjenti im ishte në bisedime me ta, por unë preferova Milanin

Ante Rebic iu bashkua Milanit në ditën e fundit të afatit kalimtar veror.

Sulmuesi kroat gjatë afatit kalimtar u kërkua edhe nga skuadra tjetër e Milanos, Inter.

Ka qenë vet lojtari që ka konfirmuar se agjenti i tij ka qenë në bisedime me Interin, por ka thënë se ai personalisht nuk kishte biseduar me klubin zikaltër.

“Agjenti im ka biseduar me Interin, por unë nuk e kam bërë një gjë të tillë. Sapo më kërkoi Milani, atëherë nuk kam pasur dyshime. E kam pyetur edhe babin tim dhe ai më tha se Milani është zgjedhja e duhur”, deklaroi Rebic.

Kroati ndër tjera ka thënë se është i gatshëm të luaj qysh në ndeshjen ndaj Veronës, por është trajneri ai që vendos.

“Kam ardhur nga dy ndeshje me Kombëtaren dhe jam i gatshëm për lojë, por është trajneri ai që vendos se kush do të luaj”, vazhdoi tutje kroati.

25-vjeçari krejt në fund deklaroi se ishin këshillat e Zvonimir Boban që e bindën për t’iu bashkuar Rossonerëve. /Telegrafi/

Exit mobile version