Real Madridi raportohet se e ka bërë një lojtar të Arsenalit prioritetin e tyre kryesor të verës, por ata do të duhet të paguajnë një shumë të majme parash për të siguruar shërbimet e tij.
Sipas një raportimi nga RMC Sport, William Saliba është prioriteti absolut i ‘Los Blancos’ për afatin kalimtar veror.
Raporti shton se ‘Topçinjtë’ nuk janë të gatshëm ta humbasin francezin, por në rast se detyrohen ta shesin, ai do të bëhej mbrojtësi më i shtrenjtë në histori të futbollit.
23-vjeçari tashmë është shndërruar në njërin prej qendërmbrojtësve më të mirë në botë dhe nëse largimi i tij nga Arsenali do të ishte i pashmangshëm, do të duhej një shifër mbi 80 milionë euro për të bindur drejtuesit e klubit.
Saliba ka një kontratë me Arsenalin e cila skadon në vitin 2027 dhe ai deri më tani ka bërë 116 paraqitje për klubin londinez, duke realizuar shtatë gola gjatë këtij procesi.
Kujtojmë se Real Madridi ka mbetur pa shërbimet e Eder Militaos, me brazilianin që pësoi këputje të ligamentit ACL duke humbur kështu pjesën e mbetur të sezonit.
Lëndim të njëjtë pësoi më vonë edhe kapiteni Dani Carvajal, duke shkaktuar kështu një krizë të madhe në fazën defanzive tek klubi madrilen./Telegrafi/