Real Madridi po planifikon një afat kalimtar veror të zjarrtë pasi tre lojtarë të nivelit botëror po thuhet se mund të transferohen në ‘Santiago Bernabeu’ së bashku me një trajner të ri.
Sezonin e kaluar, madrilenët arritën të fitojnë La Ligan dhe Ligën e Kampionëve, me trajnerin Carlo Ancelotti i cili fitoi titullin e tij të pestë në arenën evropiane.
Momentalisht, ‘Los Blancos’ gjenden në pozitën e dytë në La Liga me një dallim prej gjashtë pikësh ndaj rivalit Barcelonës, por me një ndeshje më pak të zhvilluar (ndaj Valencias).
Në Ligën e Kampionëve ata po ashtu kanë pasur rezultate të dobëta, pasi tashmë kanë pësuar dy humbje ndaj Lille dhe Milan, gjë e cila ka bërë që ata të renditën në vendin e 16-të.
Si rezultat, thashethemet sa i përket të ardhmes së Ancelottit kanë filluar të qarkullojnë.
Sipas raportimeve nga gazetari Florian Plettenberg, trajneri aktual i Bayer Leverkusenit dhe ish-mesfushori i Madridit, Xabi Alonso, ka tërhequr interesimin e 15 herë kampionëve të Evropës.
Sipas një raportimi nga Football Espana, kampioni në fuqi i Spanjës thuhet se ka shprehur interesim për të nënshkruar me Trent Alexander-Arnold, Jonathan Tah dhe Alphonso Davies – që të tre si lojtarë të lirë, pasi do t’iu skadojnë kontratat me klubet respektive këtë verë.
Nga këto tri blerje pa dyshim më të rëndësishmet do të ishin ato të Alexander-Arnold dhe Tah duke marrë parasysh faktin se Eder Militao dhe Dani Carvajal kanë këputur që të dy ligamentet e gjurit./Telegrafi/