Gjiganti spanjoll, Real Madridi e dëshiron yllin e Liverpoolit, Mohamed Salah, dhe si duket ka bërë gati një ofertë të majme për egjiptianin.
Salah ka shkëlqyer që nga transferimi i tij në verë nga Roma te Liverpooli për një shifër prej rreth 45 milionë eurosh.
Paraqitjet e tij superiore dhe 40 golat e tij deri më tani në të gjitha garat këtë sezon ka bërë që shumë skuadra të vihen pas shërbimeve të tij.
Është gjiganti spanjoll, Real Madridi, klubi që po lidhet më shumë rreth një transferimi të mundshëm të egjiptianit në Santiago Bernabeu gjatë verës.
Los Blancos janë të vendosur të bëjnë ndryshime të mëdha këtë sezon dhe thuhet se kanë identifikuar Salah si një prej objektivave kryesor pas sezonit fantastik në Angli.
Sipas mediumit spanjoll Diario Gol, Real Madrid ka bërë një ofertë prej 50 milionë eurosh dhe shërbimet e mesfushorit Isco Alarcon në këmbim të yllit të Liverpoolit, Salah.
Raporti e këtij mediumi thekson se Real Madridi do t’i ofrojë Salahut edhe një kontratë masive për të bindur atë që të transferohet në Spanjë.
Rroga vjetore thuhet të jetë me vlerë plot 25 milionë euro për sezon për të tërhequr edhe më shumë 25-vjeçarin, i cili pëlqehet edhe nga Barcelona. /Telegrafi/