Real Madridi thuhet se po planifikon të shkojë ‘all-in’ për mesfushorin e Romës, Nicolo Zaniolo, i cili do të kushtojë të paktën 50 milionë euro.
Zaniolo rifilloi stërvitjen më herët këtë javë, por edhe përkundër lëndimit që e mbajti jashtë fushave për shumë muaj, italiani pëlqehet nga shumë klube të mëdha.
Sipas mediumit spanjoll Todofichajes.com, 21-vjeçari italian së shpejti mund të bëhet lojtar i Real Madridit, pasi pëlqehet shumë nga Mbretërit.
Kjo për shkak se, Los Blancos do të bëjnë ‘gjithçka që munden’ për ta sjellë atë në sezonin e ardhshëm, duke rivalizuar Juventusin për nënshkrimin e tij.
Skuadra e Zinedine Zidane ka ndryshuar politikën e tyre të transferimeve në sezonet e fundit, duke u përqendruar më shumë te lojtarët e rinj premtues.
Me gjithë problemet financiare të Romës, italianët mund të kërkojnë shumë para për lojtarin pasi ai ka të mbetura edhe katër vjet në kontratën e tij.
Në këtë rast, Todofichajes pretendon se Real Madridi do të duhet të paguajë ‘minimumi 50 milionë euro’ për yllin e Italisë. /Telegrafi/