Klubi i madh spanjoll, Real Madridi po vazhdon ta shikojë me vëmendje sulmuesin e Lille, Jonathan David.
Kanadezi ka shënuar 13 gola në Ligue 1 këtë sezon, duke kryesuar listat e golashënuesve përpara yjeve si Kylian Mbappe dhe Lionel Messi.
Ai është në radarin e klubeve të mëdha nga Liga Premier League, Bundesliga dhe Serie A, por tani ka interesim të madh edhe nga La Liga.
Sipas gazetës spanjolle Marca, Los Blancos janë të interesuar për transferimin e Davidit dhe ky interesim është më i rëndësishmi.
Carlo Ancelotti është i etur për të përforcuar skuadrën e tij për sezonin 2022/23 dhe 21-vjeçari shihet si një talent premtues për të ardhmen.
Nick Mavromaras, agjenti i Davidit, ka konfirmuar se ky sezon do të jetë i fundit që golashënuesi do të luajë në Ligue 1, duke hapur tërthorazi derën e Realit.
“Për ne, synimi është të përfundojmë sezonin me Lille , por do të jetë sezoni i tij i fundit atje për arsye të ndryshme”, ka thënë Mavromaras. /Telegrafi/