Kasper Schmeichel është kandidati më i ri për portën e Real Madridit dhe Manchester Unitedit për sezonin e ardhshëm, pas performancave të tij vendimtare në Ligën e Kampionëve me Leicester Cityn.
Presidenti i Realit, Florentino Perez është hedhur i gjithi për të gjetur një portier të ri për Real Madridin në sezonin e ardhshëm dhe emri i ri që ka hyrë me forcë këtë javë është Kasper Schmeichel.
Portieri danez i Leicesterit, ishte vendimtar në klasifikimin e ekipit anglez për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve dhe kjo ka bindur klubin mbretëror.
Pjesëmarrja e danezit ishte vendimtare ndaj Sevillas ku ndali në dy ndeshjet nga një penallti (një të goditur nga Correa në ndeshjet e parë dhe tjetrën nga N’Zonzi në ndeshjen e kthimit) që nëse ato do të transformoheshin në gola mund të kishte ndryshuar gjithë rrjedhën e lojës dhe kualifikimin.
I biri i ish-portierit të Manchester United, Peter Schmeichel, ka 30 vjet dhe tani ka edhe përvojë të gjerë në konkurrencën angleze, fitues i Ligës Premier në sezonin e kaluar me ‘Dhelprat’.
Përveç kësaj, Kasper ka shkruar edhe disa herë ‘Madridista’ në mesazhe të ndryshme të mbështetjes për të bardhët në rrjetet sociale.
Nënshkrimi i portierit mund të ketë një ‘luftë’ të dyfishtë, pasi Jose Mourinho, trajner i Man United, gjithashtu ka kohë që ka sytë nga ai.
Por, Mbretërit po mendojnë transferimin e portierit danez dhe tani t’ia ofrojnë atë “Djajve të Kuq” për të ulur koston e David de Geas, portierin shumë të pëlqyer spanjoll. /Telegrafi/