Telegrafi

Reagon Ukraina pasi ambasada ruse në Mbretërinë e Bashkuar tha se “ushtarët e batalionit ukrainas Azov meritojnë ekzekutim me varje”

Zyrtarët ukrainas kanë denoncuar thirrjen e ambasadës ruse në Mbretërinë e Bashkuar që ushtarët e batalionit ukrainas Azov të përballen me një ekzekutim “poshtërues”, transmeton Telegrafi.

“Militantët e Azovit meritojnë ekzekutimin, por vdekjen jo me pushkatim, por me varje, pasi ata nuk janë ushtarë të vërtetë. Ata meritojnë një vdekje poshtëruese”, shkroi misioni diplomatik i Moskës në Twitter brenda natës.

Andriy Yermak, kreu i zyrës së presidencës ukrainase, shkroi në Telegram se në shekullin e 21-të “vetëm egërsirat dhe terroristët mund të flasin në nivel diplomatik për faktin se njerëzit meritojnë të ekzekutohen me varje”.

“Rusia është një shtet sponsorizues i terrorizmit. Çfarë provash më shumë duhen?”, tha ai.

Tweet-i i ambasadës erdhi pasi u vranë më shumë se 50 të burgosur ukrainas të luftës të mbajtur nga Rusia, në mesin e tyre thuhet se ishin ushtarë të Azovit.

Ata vdiqën në një sulm në burgun Olenivka në Ukrainën lindore të kontrolluar nga Rusia.

Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për sulmin e së premtes.

Twitter pranoi se postimi nga ambasada ruse shkelte “rregullat e kompanisë së mediave sociale për sjelljen e urrejtjes” – por shtoi se mund të jetë në interesin publik për ta mbajtur atë të qasshëm.

Kampi i burgut Olenivka kontrollohet nga Republika e vetëshpallur Popullore e Donetskut (DNR) e mbështetur nga Rusia. /Telegrafi/