Site icon Telegrafi

Reagon Roma: Ngecjet në transferimin e Milik nuk kanë të bëjnë me gjendjen shëndetësore

Arkadiusz Milik (Foto: Francesco Pecoraro/Getty Images/Guliver)

Roma ka lëshuar një komunikatë për shtyp për të qartësuar se vonesa e zyrtarizimit të Arkadiusz Milik nuk është e lidhur me ekzaminimet mjekësore.

Efekti domino i transferimit të Edin Dzekos te Juventusi është lidhur me kalimin e sulmuesit të Napolit te Giallorossët, mirëpo bisedimet kanë ngecur në 24 orët e fundit.

Ishte raportuar se ka shqetësime lidhur me gjendjen fizike të sulmuesit polak, në veçanti lidhur me lëndimet në ligamentin e përparmë kryeqëzues në të dy gjunjët.

Arkadiusz Milik (Foto: Francesco Pecoraro/Getty Images/Guliver)

Megjithatë, Roma i ka përgënjeshtruar këto raportime duke sqaruar se asgjë nuk ka të bëjë me testet mjekësore.

Lexo po ashtu Transferimi i Milik te Roma ka hasur në vështirësi, mund ta prish edhe kalimin e Dzekos te Juventusi

“Klubi përsërit se nuk do të komentojë asnjëherë, në një kapacitet zyrtar ose në mirëbesim, në lidhje me shëndetin ose gjendjen fizike të një lojtari që është i regjistruar te një klub tjetër”.

“Rrjedhimisht, AS Roma refuzon t’i atribuohet çfarëdo vlerësimi të gjendjes fizike të lojtarit”, thuhet në njoftimin e klubit.

Edin Dzeko (Foto: Valerio Pennicino/Getty Images/Guliver)

Problemi duket të jetë ndërmjet Milikut dhe Napolit, me një diferencë prej një milion eurosh për të drejtat e imazhit, pagën dhe gjobën e shqiptuar për ‘rebelimin’ e skuadrës në nëntor 2019.

Derisa të zgjidhen këto detaje, polaku nuk mund t’i bashkohet Romës, e as sulmuesi boshnjak nuk do të lejohet që të kalojë te Juventusi. /Telegrafi/

Exit mobile version