Telegrafi

Reagon Haxhiu: Përpjekjet e opozitës për t’i njollosur dy iniciativat e rëndësishme janë të dështuara

Foto: Arkiv

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se partitë opozitare po përpiqen të njollosin dy iniciativa që sipas saj janë të rëndësishme – atë për reformën në sistemin prokurorial dhe atë për konfiskimin e pasurisë së zyrtarëve në rastet kur ajo nuk mund të justifikohet.

Por, sipas Haxhiut, këto përpjekje janë të dështuara, pasi “vendi ynë do të bëhet i jetueshëm, me drejtësi e barazi”.

“E kemi pasur të qartë që rruga drejtë reformave nuk do të jetë e lehtë, megjithatë e kemi vullnetin e hekurt për të bërë ndryshimet e duhura”, ka shkruar ministrja në llogarinë e saj zyrtare në ‘Facebook’.

Reagimi i Haxhiut vjen pas një konference për media të mbajtur nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanajt, ku akuzoi Qeverinë Kurti se përmes këtyre nismave ligjore po tenton të “kapë” institucionet e drejtësisë. /Telegrafi/