I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ndaj vendimit të kreut të Qeverisë, Albin Kurti i cili të enjten bëri të ditur se me 15 mars taksa do të largohet pjesërisht, ndërsa nëse nuk vepron Serbia dhe BE-ja, taksa rikthehet sërish 100 për qind me 15 qershor.
Grenell përmes një shkrimi në Twitter, nuk e ka mbështetur Kurtin, duke thënë se pozicioni i SHBA-së është i qartë, tarifa duhet të largohet tërësisht.
Më tej ai ka theksuar se Kurti me vendimin e sotëm ka bërë gabim shumë serioz.
“Ne nuk e mbështesim heqjen e taksës pjesërisht nga kryeministri Albin Kurti. Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të largohet plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo iu bë e qartë edhe Presidentit Thaçi në Shtëpinë e Bardhë Bardhë”, ka shkruar Grenell.
We do not support Prime Minister Kurti’s half measure. Our position is quite clear: the tariffs must be completely dropped. Mr Kurti is making a serious mistake – and that was made clear to President Thaci at the White House today.
— Richard Grenell (@RichardGrenell) February 27, 2020
Ndërkaq, Kurti gjatë një konference për media ka shpalosur qëndrimin e tij për taksën 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Ai u ka bërë ftesë autoriteteve të Serbisë që si përgjigje ndaj vendimit të palës së Kosovës, të zotohen se do ta ndërpresin fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe të nisin me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës.
Siç ka thënë Kurti, nëse pala serbe dëshmon përkushtimin në ndalimin e fushatës jomiqësore ndaj Kosovës dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave tregtare jotarifore, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do ta heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina për një periudhë prej 90 ditëve.
Vendimi i kryeministrit Kurti, gjatë të enjtes u mbështet në disa pika për të cilat ka kërkuar zbatim nga Serbia.
1. Si Qeveri e Kosovës, gjatë javës së ardhshme, do të marrim vendim, që nga data 15 mars 2020, të hiqet tarifa për lëndën e parë që importohet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Kjo si shenjë e vullnetit të mirë dhe gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë.
2. Ftojmë Serbinë që si përgjigje ndaj këtij vendimi të palës kosovare të zotohet se do ta ndërpresë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu të nis me eliminimin e barrierave tregtare jotarifore ndaj Kosovës. Nëse pala serbe dëshmon përkushtim të mirëfilltë në ndalimin e fushatës jomiqësore dhe zotohet për heqje të shpejtë të barrierave jotarifore me Kosovën, atëherë duke filluar nga data 1 prill 2020, Qeveria e Kosovës do të heqë tërësisht tarifën për importet nga Serbia dhe BeH për një periudhë prej 90 ditësh.
3. Bashkimi Evropian ta vlerësojë lart vendimin e palës kosovare për ta hequr tarifën prej 100%, duke ofruar liberalizimin e vizave para Samitit të Zagrebit më 7 maj 2020.
4. Në rast se Serbia nuk e përfill vullnetin e mirë të Qeverisë së Kosovës për eliminim të barrierave ekonomike, tregtare dhe politike në raportet e ndërsjella dhe për pasojë nuk e pushon fushatën jomiqësore në rrafshin ndërkombëtar dhe nuk fillon me heqjen e barrierave në marrëdhëniet me Kosovën, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 1 prill do të fillojë implementimin gradual të principit të reciprocitetit, njëherë në fushën e tregtisë e më pastaj edhe në atë ekonomike e politike.
5. Në rast se pala serbe nuk reflekton as pas një periudhe prej 90 ditësh nga vendimi fillestar për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë, atëherë qeveria e Kosovës me fillim nga data 15 qershor do ta rikthejë tarifën për importet nga Serbia, teksa vazhdohet implementimi i filluar me 1 prill i reciprocitetit.
6. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të dalin që në fillim me instrumente të detajuara dhe afate kohore që listojnë benefitet nga angazhimi i sinqertë i palëve në tejkalimin e barrierave tregtare, ekonomike dhe politike; mekanizmat për evidentimin dhe adresimin preciz të mospërmbushjes eventuale të detyrimeve nga palët; dhe, po ashtu, edhe listimin e konsekuencave për palën jo bashkëpunuese në proces.
7. Rivlerësimi i këtij vendimi varet nga rezultatet qe ai prodhon në arritjen e këtyre objektivave. Reciprociteti i plotë tregtar, ekonomik dhe politik instalohet pas 15 qershorit.
Ndaj vendimit të Kurtit pati reagime të ashpra brenda spektrit politik në Kosovë, përfshirë koalicionin qeverisës, LDK-në.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për herë të parë pas njoftimit të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e pjesshme dhe të kushtëzuar të tarifës ndaj produkteve serbe.
Hoti ka thënë se ajo që është prezantuar nga kryeministri i vendit “nuk është vendim i Qeverisë”.
“Vendimet e qeverisë merren në mbledhje të qeverisë, jo në konferencë për media. Nuk mund të shkojë përpara asnjë vendim pa koordinim me partnerët qeverisës”, ka pohuar Hoti.
E ndryshe nga Hoti, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se Kurti ka bërë veprime të pritura politike duke mos u ngutur e as vonuar.
Ai tha se LDK dhe Vetëvendosje kanë pasur të njëjtin qëndrim sa i përket tarifës 100% ndaj mallrave serbe që prej fushatës zgjedhore.
Haziri ka thënë se mbështetë frymën e Kurtit që të veprohet gradualisht me çështjen e reciprocitetit.
“Mbështes hapin edhe frymën që kjo të shkohet në shkallë graduale si politikë e reciprocitetit. Nga momenti që Qeveria e vendos suspendimin dhe largimin e tarifës, pjesa tjetër është kalendarike-ditore. Janë bërë përgatitje të mëdha tash e disa muaj për largimin e tarifës”, është shprehur Haziri.
Reagimi i opozitës
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se Kurti duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejtë sesa që kanë pritur të tjerët.
Sipas tij, Kurti është i padijshëm, i dobët, dhe mashtrues.
“E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; sikur të ishte vetë Kosova. Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht”, ka deklaruar Veseli.
Ndërkaq Haradinaj e ka quajtur Kurtin mashtruar, duke thënë se me veprimin e fundit, kryeministri ka nisur kthimin e Serbisë në Kosovë.
“Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
E kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Kurti do të mbahet mend si një politikan që brenda ditës mashtron, gënjen, e ndryshon qëndrimet.
“Albin Kurti vazhdon me konferencën e radhës skandaloze, që nga dukja, serioziteti i temës e deri te qëndrimi i kryeministrit. Ai do të mbahet mend si një politikan që brenda ditës mashtron, gënjen, ndryshon qëndrimet dhe premtimet me të cilat ua ka marrë votën qytetarëve. Në konferencën e sotme gënjeshtrën e sikletin ai u mundua ta mbulojë me disa parulla as mish as peshk. Kaq për sonte. Për më shumë rreth kësaj teme, në ditët në vijim”, ka deklaruar Limaj.
Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka thënë se për të ardhur në pushtet, Kurti dhe VV-ja e zhveshën vetën nga çdo parim e projekt politik, duke shtuar më tej se ata hoqën dorë nga çdo kauzë mbi të cilën u ndërtuan e nga çdo premtim madhor që e kishin bërë.
“Gjithçka qenka në pazar për Kurtin – ashtu siç ishte edhe për të tjerët para tij. E vetmja gjë e rëndësishme për të mbeti imazhi. Imazhi i një politikani gjoja ndryshe nga të tjerët. Prandaj krejt çka do të bëjë Kurti janë simbolikat që e ruajnë imazhin e tij, dhe kompromiset e dëmshme që ia ruajnë pushtetin”.
Ndryshe, tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës është vendosur në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj, si kundërpërgjigje, siç është thënë, ndaj fushatës agresive diplomatike të Serbisë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe për tërheqjen e njohjeve të saj.
Që nga vendosja e taksës 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, importi nga këto shtete ka rënë për 99 për qind. /Telegrafi/