Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri ka reaguar pas vrasjes së dyfishtë që ka ndodhur sonte në Pejë, ku i vrarë ka mbetur kandidati i PDK-së për Pejë, Astrit Ademaj.
Muhaxheri u ka shprehur ngushëllime familjeve, transmeton Telegrafi.
“Jam shumë i tronditur me vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur minuta më parë në Pejë, me ç’rast u vrit dhe kandidati për Kryetar të Komunës së Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj. Shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjeve për humbjen e dy jetëve të reja”, shkruan Muhaxheri në Facebook.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar për Telegrafin, se të shtënat me armë zjarri janë dëgjuar rreth orës 20:20 në afërsi të shkollës Ekonomike “Ali Hadri”, ku dy persona kanë mbetur të vdekur dhe një tjetër i plagosur.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi deklaroi se tashmë në vend të ngjarjes janë Policia dhe Prokuroria.
Ndërsa, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi tha për Telegrafin se nga incidenti me armë zjarri kanë humbur jetën dy persona.
“Si pasojë e një incidenti me armë zjarri dy persona kanë mbetur jetën dhe një tjetër është plagosur”, theksoi ai. /Telegrafi/