Telegrafi

Reagon Çitaku pas fyerjes që Vulini i bëri Osmanit: Kjo është krejtësisht e tmerrshme

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, e ka fyer sot  presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, duke reaguar pas një interviste të presidentes Osmani dhënë gazetës gjermane, ‘Der Spiegel’, e cila duke folur për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve në vitin 1999, tha se pret që Serbia të gjunjëzohet.

Ndërkaq, kanë filluar tashmë edhe reagimet nga Kosova kundër Vulinit, i cili ka fyer Presidenten e Kosovës.

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku e ka konsideruar krejtësisht të tmerrshme fyerjen e Vulinit ndaj Osmanit.

“Kjo është tërësisht e tmerrshme”, shkroi shkurt në Twitter, Çitaku.


Ndryshe, Siç transmetojnë mediat serbe, Vulin deklaroi se derisa Aleksandar Vuçiq e udhëheq Serbinë, ajo nuk do të gjunjëzohet, ashtu siç do të dëshironte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vulin e ka fyer presidenten duke thënë se “nëse Osmani do të kishte fytyrë, siç e ka stomakun, për gënjeshtrat që thotë, ajo do të gjunjëzohej për një kohë të gjatë para ‘shtëpisë së verdhë’ dhe serbëve të vrarë për trafik organesh…”, ka deklaruar Vulin, transmeton Telegrafi.

Kjo fyerje e Vulin, erdhi pasi gazetari i ‘Der Spiegel’ kishte insistuar duke pyetur Osmanin se pse e përdor termin gjenocid për krimet që ka kryer Serbia.

Lexo po ashtu Vulin e fyen presidenten Osmani, i përgjigjet Blerim Vela, e quan këlysh të gruas së Millosheviqit

“E kam zgjedhur nocionin gjenocid me vetëdije. Ai përshkruan qëllimin e një vendi për të shfarosur një komb. Dhe pikërisht kjo ka ndodhur në Kosovë. E kam fjalën për ngjarjet në Mejë, e njohur si ‘Srebrenica e Kosovës’, dhe në Poklek, ku jo vetëm janë vrarë 54 fëmijë dhe plaka, por pastaj edhe janë djegur. Qëllimi ka qenë që të zhduken nga faqja e dheut. Ëilly Brandt ka thënë njëherë se kur mungojnë fjalët, duhet rënë në gjunjë. Pikërisht këtë e presim nga Serbia: rënien në gjunjë”, ishte përgjigjja e Osmanit

Ndaj kësaj deklarate të Vulinit, ka reaguar  Blerim Vela, shefi i Stafit të Presidentes, i cili Vulinin e ka quajtur “këlysh të gruas së Millosheviqit”.

“Këlyshi i Mira Markoviqit gjatë viteve 1990 në JUL, Aleksandar Vulin është zëdhënësi i regjimit primitiv, të dhunshëm dhe seksist në Serbi. Vulin i shërben zotërisë së tij aktual, Aleksandar Vuçiq me të njëjtën forcë dhe përkushtim ashtu si i shërbeu Millosheviqit. E neveritshme!”, ka shkruar Vela në Twitter. /Telegrafi/