Site icon Telegrafi

Reagimi i SHBA-ve pas deklaratave për ndryshim kufijsh, vizita e Kurtit në Bruksel dhe mbulimi i shpenzimeve të rrymës për serbët në veri – top lajmet e javës së kaluar

Javën që lamë pas janë shënuar disa ngjarje me rëndësi në vend, duke u nisur nga themelimi i Komitetit ndërministror për Kompleksin memorial “Adem Jashari”, deklarata e Shtëpisë së Bardhë pas spekulimeve për ndryshime kufijsh në Ballkan, vizita e kryeministrit Albin Kurti në Bruksel, etj.

Po javën që lamë pas u bë e ditur se KOSTT do të mbulojë shpenzimet e rrymës për serbët në veri për gjashtë muaj dhe jo qeveria,duke ngjallur kështu reagimin e opozitës.

Po ashtu u paralajmërua se këtë të mërkurë do të arrijë një kontingjent vaksinash anti-COVID nga Bashkimi Evropian në Kosovë.

Themelohet Komiteti Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin për themelimin e Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Pjesë e komitetit ndërministror do të jenë: Albin Kurti, Hajrullah Çeku, Liburn Aliu, Rozeta Hajdari, Hekuran Murati, anëtarë i komitetit përfaqësues nga familja Jashari, Bekim Jashari, anëtarë nga Agjencia e Menaxhimit të Memorialeve, përfaqësueses nga shoqata e arkitektëve dhe nga shoqata e luftës.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se do ta udhëheq vetë ai këtë Komitet “për ta trajtuar me seriozitetin e merituar këtë proces”.

“Në afatin më të afërt do të mbahet takimi i parë i komitetit për t’i diskutuar dhe votuar vendimet e rëndësishme në emër të mbrojtjes, zhvillimit dhe promovimit të kompleksit i cili përfaqëson epiqendrën e rezistencës sonë kombëtare për liri, pavarësi e bashkim”, ka shkruar Kurti.

SHBA: Spekulimet për ndryshime kufijsh në Ballkan, kërcënim i panevojshëm për stabilitetin

Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit evropian dhe anëtarësimit në institucione kyçe evropiane dhe euroatlantike, thuhet në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Price.

Në të, zëdhënësi nënvizon se Uashingtoni vazhdon të punojë me vendet e rajonit dhe partnerët e tij evropianë për të çuar përpara reformat në qeverisje, shtetin ligjor si dhe përpjekjet anti-korrupsion, si dhe për të mbështetur median e pavarur dhe një shoqëri civile energjike që do të forcojnë perspektivat evropiane të rajonit dhe do të avancojnë synimet afat-gjata për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.

“Ne jemi të angazhuar të ndihmojmë vendet e Ballkanit Perëndimor të thellojnë partneritetet e tyre ekonomike, të arrijnë objektivat klimatike, t’i bëjnë rezistencë manipulimeve energjetike nga Rusia duke zhvilluar një sistem të larmishëm burimesh të energjisë së pastër, si dhe të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne gjithashtu duam të ndihmojmë rajonin drejt begatisë dhe rritjes ekonomike, ndërkohë që mbrohet infrastruktura dhe industritë e tij nga praktikat keqbërëse të Kinës,” thuhet në deklaratë.

Deklarata vijon më tej se “Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të mbështesin përpjekjet për një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar tek njohja e ndërsjellët, e cila të shërbejë si themel për bashkëpunim dhe begati të qëndrueshme”.

Në dokument, zëdhënësi Price shpreh mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dialogun me ndërmjetësimin e BE-së dhe u bën thirrje palëve të riangazhohen në proces me një frymë të nevojës urgjente për të adresuar temat teknike dhe politike. “Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar Angazhimet e Uashingtonit në mbështetje të synimeve për normalizim të plotë,” thuhet në deklaratë.

Kurti nuk merr pjesë në takimin e 11 majit për dialogun në Bruksel

Më 28 prill kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë një vizite në Bruksel ka thënë nuk do të marrë pjesë në takimin 11 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

“Unë nuk mund të marr pjesë në takim për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, ajo që mund të ju konfirmoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisionari Borrell, nga mesi i muajit maj, ku do të bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Kurti.

Kurti gjatë vizitës në Bruksel ka pasur një takim joformal me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog Mirosllav Lajçak.

Ai zhvilloi një takim me kryeministrin e Belgjikës Aleksandar De Croo, për të vazhduar më pas me takimet në Komisionin Evropian.

Kurti është deklaruar edhe për “non-paper”, duke thënë se nuk mund të lejojnë ringjalljen e projekteve për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin e Kosovës.

“Unë besoj që të gjithë këtyre ‘non-papers’ është më së miri t’iu përgjigjemi me ‘no comment’ (pa koment) sepse përmes përgjigjeve po përpiqen të marrin jetë në kohë që nuk dihet autori dhe synimet, por pasojat nuk mund të jenë të mira. Nuk mund të lejojmë as ringjalljen e projekteve të dështuara për shkëmbim territorial dhe as bosnjëzimin e Kosovës”, ishte shprehur Kurti.

Sipas tij, Kosova duhet të shkojë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike dhe se raportet në “Ballkan mund të rregullohen vetëm më dialog parimor”.

KOSTT do të mbulojë shpenzimet e rrymës për serbët në veri për gjashtë muaj, jo qeveria

Të mërkurën është zhvilluar debat parlamentar për rrymën e shpenzuar nga serbët në katër komunat veriore.

Dy propozim rekomandime ka paraqitur Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me pagimin e rrymës për serbët në katër komunat veriore.

Propozimi i deputetes Mimoza Kusari-Lila i cili mori mbështetjen e Komisionit me 6 vota për, ishte që KOSTT-i të marrë përgjegjësin për pagesën e rrymës edhe për gjashtë muajt e ardhshëm dhe të mos obligohet Qeveria për këtë.

Sipas saj, obligim i qeverisë mbetet që të zgjidhë këtë çështje për shtrimin e autoritetit në fushën e energjisë brenda 6 muajve në veri.

Ndërsa, kundër kësaj ishte kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala i cili theksoi se nuk duhet legalizuar kjo çështje për qytetarët serb në veri.

Propozimi i tij ishte që Qeveria tek e fundit të paguaj edhe gjashtë muaj, jo KOSTT.

Deputeti Uran Ismajli ka qenë kategorik që të ndërpritet mbulimi i shpenzimeve të energjisë elektrike për katër komunat veriore.

Deputeti Pal Lekaj tha se ngarkesa e KOSTT me 11 milionë euro është e pa tolerueshme.

Të mërkurën pritet të arrijë një kontingjent vaksinash anti-COVID nga BE në Kosovë

Një pjesë nga 95 mijë vaksinat kundër COVID-19, të ndara nga Bashkimi Evropian për Kosovën, do të mbërrijnë në vend në mesin e javës së ardhshme, ka bërë të ditur komisionieri Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai ka njoftuar se do të qëndrojë në Kosovë më 5 maj, të mërkurën, në kuadër të vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur rajonit do t’i dhurohen vaksinat kundër coronavirusit, si pjesë e ndihmës nga Bashkimi Evropian.

Komisioni Evropian dhe Austria patën njoftuar më 20 prill se 651 mijë doza të vaksinës “BioNTech/Pfizer” do të dorëzohen në rajon çdo javë nga fillimi i muajit maj e deri në muajin gusht.

Këto vaksina janë paraparë për të ndihmuar në shpejtimin e kampanjës së vaksinimit e për të siguruar që grupet në rrezik të marrin vaksinën. Vaksinat janë ndarë nga pakoja 70 milionë euroshe, e siguruar nga Bashkimi Evropian.

Austria ka lehtësuar shpërndarjen e vaksinave përmes marrëveshjeve me prodhuesin dhe çdo partner të Ballkanit. Shpërndarja do të bëhet në bazë të nevojës epidemiologjike. Për Kosovën janë caktuar 95 mijë doza. /Telegrafi/

Exit mobile version