Arrestimi i Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka shkaktuar një reagim të paprecedentë dhe të rrezikshëm nga Kryeministri Edi Rama ndaj SPAK-ut, sipas partisë Djathtas 1912.
“Tonet kërcënuese ndaj prokurorëve dhe përpjekja për të frikësuar GJKKO-n janë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së drejtësisë dhe një përpjekje e hapur për të sabotuar luftën kundër korrupsionit, ka thënënë një reagim partia e vogël opozitare e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj.
“Këto sulme dhe kërcënime, të cilat kanë qenë tipike për Sali Berishën dhe Ilir Metën, sot, përmes Edi Ramës, i dhanë formën përfundimtare “Koalicionit të Kleptomanëve””, thuhet në njoftim.
“Gjithashtu, dënojmë protestat e turpshme dhe të orkestruara nga mbështetësit e Ramës, Berishës, Metës dhe Veliajt, të cilat rikthejnë skenat e mitingjeve të “Vullnetarëve të Enverit” në vitin 1991, duke treguar qartë se politika e vjetër është e gatshme të përdorë çdo mjet për të mbrojtur korrupsionin dhe klientelizmin e saj. “Djathtas 1912”, si partia e parë parlamentare që ka shpallur hapur mbështetjen për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK, inkurajon dhe mbështet organet e drejtësisë për të vijuar punën e tyre në hetimin dhe gjykimin e korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar. Kjo është e vetmja rrugë për ta nxjerrë Shqipërinë nga tranzicioni i pafund dhe nga kthetrat e pandëshkueshmërisë që ka mbajtur peng vendin për 34 vite”, thuhet në reagim. /Telegrafi/