Site icon Telegrafi

Reagime të ashpra nga PDK e veteranët, pas deklaratave të Osmanit për Specialen e Raportin e Martyt

Miratimi i rezolutës së sponsorizuar nga Partia Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, e cila kundërshton një raport të Këshillit të Evropës me pretendime për trafikim të organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, u komentua si nismë e mirë dhe si aktivizim i politikës së jashtme të shtetit shqiptar.

Rezoluta është miratuar të enjten vonë në mënyrë unanime, me 125 vota të deputetëve.

Mirëpo një ditë pas miratimit të kësaj rezolute një deklaratë e Presidentes Osmani e zbehi këtë entuziazëm që solli Kuvendi i Shqipërisë.

Ajo pas takimit me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë se për luftën çlirimtare të Kosovës, UÇK-në e gjenocidin e kryer në Kosovë nga Serbia, nuk janë të nevojshme rezolutat pasi konfirmohet përditë një gjë e tillë.

Mirëpo kjo deklaratë e Osmanit, nuk i ka pëlqyer fare deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu.

Jo në një postim në Facebook, ka thënë Osmani me këto deklarata shfaqë mjerimin institucional në Kosovë.

Lexo po ashtu Për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Osmani: Rëndësi ka mbrojtja që iu ofrojmë, e jo vizitat

“Kuvendi i Shqipërisë ka votuar unanimisht rezolutën kundër pretendimeve të Dick Martyt. Presidentja e Kosovës thotë: Pse t´iu themi faleminderit? Përgjigja e Vjosa Osmanit, në pyetjen e gazetarëve se përse nuk e kishte përshëndetur rezolutën e votuar në Kuvendin e Shqipërisë, e shpërfaqë edhe njëherë mjerimin institucional që e ka kapluar Presidencën, Kryeministrinë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës”, ka reaguar Musliu.

Osmani  është pyetur për ndonjë vizitë të mundshme tek të akuzuarit e Gjykatës Speciale që po mbahen në Hagë.

Ajo tha se nuk kanë rëndësi vizitat sa të sigurohet shteti që ata që po akuzohen të kenë mbrojtjen e nevojshme.

“Ne nuk harrojmë. Kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh. Nuk e harrojmë, sado që dikush mund të ketë një dëshirë të tillë”.

E kjo përgjigje ka sjellë reagime të shumta të zyrtarëve të nivelit më të ulët të PDK-së, por edhe të organizatave të luftës.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së), Faton Klinaku, e ka quajtur absurd këtë prononcim të Osmanit.

Klinaku përmes një postimi në Facebook ka thënë se Osmani “po harron që në vend se ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për interpretim skadimin e mandatit të asaj pseudogjykate, ajo shpejt e shpejt e kishte dërguar në Hagë”.

“Kur e them unë për Hashim Thaçin dhe Gjykatën Speciale atë që e tha presidentja sot, është e arsyeshme, por kur e thotë presidentja është absurde. Po harron ajo se në vend se ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese për interpretim skadimin e mandatit të asaj pseudogjykate, ajo shpejt e shpejt e kishte dërguar në Hagë”, ka shkruar ai.

Tutje, ka thënë se ata që po mbahen në Hagë po e luftojnë termin “Ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Është turp për shtetin e Kosovës që e toleron këtë”, ka shkruar tutje Klinaku.

Raporti i vitit 2010, i hartuar nga senatori i atëhershëm zviceran, Dick Marty, dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikim me organe kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-99.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, i cili në korrik të vitit 2014 ka bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Kjo, në vitin 2015, ka çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, për të hetuar krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që dyshohet se janë kryer nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykatë Speciale, ka nisur tashmë procesi ndaj disa ish-udhëheqësve të UÇK-së, përfshirë: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020./Telegrafi/

Exit mobile version