Site icon Telegrafi

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, heq sivjet vizat

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, deklaroi se Kosova duhet të përmbushë edhe kriterin e fundit për liberalizim të vizave, që është ratifikimi në Kuvend i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, në mënyrë që të mos u lihet hapësirë vendeve të BE-së që të dalin kundër vendimit.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, duke shtuar se ky kusht specifik është kërkuar edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, të publikuar në dhjetor të 2015 dhe përsëri është kërkuar në rekomandimin për liberalizimin e vizave të Komisionit Evropian.

“Tani është koha për qartësi dhe të pranojmë se ky është një kusht i vendosur nga BE-ja dhe si i tillë nuk mund të anashkalohet”, është shprehur Çollaku.

Ai ka shtuar se Kuvendi dhe subjektet politike duhet të vendosin për kohën dhe mënyrën e procedimit për ratifikim të Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në mënyrë që, sipas tij, Kosova të mos i lërë hapësirë asnjë vendi të BE-së të dalë kundër liberalizimit. /Zëri/

Exit mobile version