Gjykatësi i procedurës paraprake në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nicolas Guillou, tha se synon që të kalojë çështjen te trupi gjykues para fundit të këtij viti.
Në hapje të konferencës së 15-të mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, ai tha se do të marrë vendim mbi kërkesat që janë paraqitur deri tani nga palët, por jo për ato që sipas tij nuk janë urgjente.
“Para se t’ju jap fjalën palëve që të paraqesin pikëpamjet e tyre për secilën pikë të rendit të ditës, konfirmoj se synoj t’ia kaloj çështjen trupit gjykues përpara fundit të vitit. Synoj të marrë vendim mbi kërkesat që më janë paraqitur deri tani për shqyrtim, por jo për kërkesa jo urgjente të cilat palët do t’i dorëzojnë nga dita e sotme deri në kalimin e çështjes së trupit gjykues, për të mos vonuar procedurat”, tha gjykatësi i procedurës paraprake.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Kjo pasi, gjykatësi e kishte aprovuar pjesërisht mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, të parashtruar ndaj aktakuzës së ndryshuar në rastin ku ai me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, po akuzohen për krime lufte dhe ZPS-ja ishte urdhëruar të bëjë ndryshime në aktakuzën e ndryshuar.
Në këtë aktakuzë, thuhet se përmes veprimeve dhe mosveprimeve të përshkruara më lart, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë kryer përmes pjesëmarrjes së tyre në një ndërmarrje të përbashkët kriminale dhe/ose kanë ndihmuar dhe nxitur krimet e ngarkuara në këtë aktakuzë.
Sipas prokurorisë, krahas kësaj ose në alternativë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë përgjegjës si eprorë për krimet e kryera nga vartësit e tyre.
Tutje, aktakuza thotë se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi, e dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e akuzuara në këtë aktakuzë ishin gati të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe nuk kishin marrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme për parandalimin e krimeve të tilla ose të ndëshkojnë autorët e saj. /Telegrafi/