Dje dy media të huaja me nam “Reuters” dhe “Dailymail” shkruan se të mërkurën Komisioni Evropian do të vendos që të fus edhe Kosovën së bashku me Ukrainën dhe Gjeorgjinë në procesin e liberalizimit të vizave.
Sipas këtyre raporteve, nëse të mërkurën Kosova merr rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave atëherë në fund të qershorit pritet marrëveshja të ratifikohet nga Parlamenti Evropian.
Megjithatë Ministria e Integrimit Evropian të Kosovës ka thënë se rasti i Kosovës nuk ka ndërlidhje me vendet e tjera, transmeton zeri.info.
Sipas kësaj ministrie Kosova është vlerësuar vetëm mbi bazën e meritës dhe kushteve që ka zbatuar.
“Rasti i Kosovës nuk ka ndërlidhje me vendet e tjera, pasi që sa i përket liberalizimit të vizave Kosova është vlerësuar vetëm mbi bazën e meritës sepse ka zbatuar kushtet që janë përcaktuar me Udhërrëfyes”, ka thënë zyra për informim për zëri.info në kuadër të kësaj Ministrie.
Tutje, në përgjigjen e tyre, ata thonë se edhe pas rekomandimit pozitivë nuk do të dihet ende sa do të zgjasë procedura teknike.
“Nuk mund të paragjykojmë se sa do të zgjas procesi sepse në momentin që kemi rekomandimin nga Komisioni Evropian, atëherë ky rekomandim duhet të shqyrtohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së”, thuhet në përgjigjen e MIE-së.
Ndërkohë Komisioni Evropian ka thënë se sot në mbrëmje do të konfirmohet agjenda zyrtare e këtij komisioni për ditën e mërkurë.
Prandaj nuk mund të bëhet ende ndonjë spekulim se a do të ketë rekomandim pozitivë për Kosovën të mërkurën apo jo.
“Të hënën pasdite ne do ta konfirmojmë agjendën e Komisionit, pasi ajo të finalizohet nga drejtuesit e kabineteve”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim.
Megjithatë në BE e kanë konfirmuar përgjigjen pozitive për vizat.
“Presidenti Juncker është takuar me kryeministrin Isa Mustafa me 27 prill në Bruksel. Ata kanë diskutuar për progresin e mirë që ka bërë Kosova në rrugën e saj drejt liberalizimit të vizave. Presidenti Juncker e ka informuar kryeministrin Mustafa për përgjigjen pozitive të Komisionit” thuhet në përgjigjen e zyrës për informim, shkruan Zëri.