Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka pranuar të komentojë gjetjen e një pjese të mostrave të ish-aktivistit të vdekur të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharit.
Telegrafi raportoi të premten se mostrat janë gjetur brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë (IML), aty ku edhe u zhdukën në dhjetor të vitit të kaluar.
Lidhur me këtë, Kurti u pyet të martën nga gazetarët pasi mori pjesë në edicionin e dhjetë i Javës së Gruas, me temën kryesore “Barabarësia: Parakusht për Ripërtëritje të Demokracisë”.
Kryeministri para mediave tha se për këtë çështje duhet të japë përgjigje adekuate Ministria e Drejtësisë.
“Më besoni se për këtë Ministria e Drejtësisë duhet të japë përgjigje adekuate”, deklaroi kreu i ekzekutivit.
Ndryshe sipas raportimit të Telegrafit, mostrat ishin zhvendosur nga laboratori i toksikologjisë, në një frigorifer tjetër brenda IML-së.
Duke iu referuar burimit, mostrat e gjetura janë të lukthit dhe të urinës, ndërsa mungojnë mostrat e gjakut.
“Komisioni për inventarizim i ka gjetur në një frigorifer që nuk është i mbuluar prej kamerave të sigurisë. Hetuesit e policisë janë duke punuar me kapacitete të plota për të zbuluar se si kanë përfunduar në atë frigorifer gjysma e mostrave të Deharit”, bëri të ditur një burim i Telegrafit.
Në momentin që Telegrafi mori informacionin e sigurt nga burimi, filloi përpjekjet për të rënë në kontakt me prokurorin e rastit, Agim Shefkiu, Prokurorinë Speciale, Ministrinë e Drejtësisë (MD), Policinë e Kosovës dhe zëvendësdrejtorin e IML-së, Ditor Haliti, por pa sukses. Asnjë nga akterët, përveç ministrisë, nuk iu përgjigj telefonatave e as nuk ktheu përgjigje në pyetjet e dërguara.
Nga MD-ja i thanë Telegrafit se për këtë rast mund të përgjigjen vetëm Policia dhe Prokuroria, pasi këto dy institucione kanë nisur hetimet që zhdukja e mostrave të dhjetor. /Telegrafi/