Telegrafi

Rasti “Abi Çarshia”, dënohen me nga 3 vjet burgim deputetja Vrenezi dhe ish-zyrtari i Komunës së Prizrenit

Gjykata Themelore në Prizren këtë të martë i ka dënuar me nga tri vite burgim dhe dy mijë euro gjobë ish-zyrtarin e Komunës së Prizrenit, Islam Thaqin dhe deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të gjykatës, me datë 19 korrik 2019 dhe 21 korrik 2019, në Prizren në objektin “Abi Çarshia” Thaqi dhe Vrenezi në cilësinë personave zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” Sh.P.K., Prizren në atë mënyrë:

“I akuzuari I.Th., në cilësinë e Drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, duke ditur se nuk kanë të drejtë të bën rrënimin e objektit pasi i dëmtuari ka aplikuar për legalizim në përputhje me vendimin e MMPH të datës 27.08.2018, jep pëlqimin, organizon dhe merr pjesë aktive në rrënimin e objektit ‘Abi’ Sh.P.K., në Prizren”, thuhet në njoftimin për media.

“E akuzuara J.V., në cilësinë e inspektores së ndërtimit duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjnë rrënimin e objektit të të dëmtuarit, meqë është në kundërshtim me vendimit e MMPH të datës 27.08.2018, përveç inspektimeve që kanë kryer në objektet, e akuzuara J.V., merr konkluzion mbi rrënimin e objektit ‘bi Çarshia’ pronë e “Abi” Sh.P.K., me nr. …….me datë 15.07.2019”.

Ndërsa, të akuzuarit tjerë në këtë rast Egzona Morina- Thaçi, Arian Taraku, Isë Bislimaj, dhe Shqipron Krasniqi janë liruar nga akuzat.

“Të akuzuarit – E.M.-Th., A.T., I.B., dhe Sh.K., lirohen nga akuza, ngase nuk është provuar se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar nga neni 414 par. 2 lidhur me par.1 dhe neni 31 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim. /Telegrafi/