Udhëheqësi i Grupit Ballkanik për Politika, Naim Rashiti, ka theksuar se nuk ka policë ose prokurorë, që do të marrin përsipër ta hetojnë vdekjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.
Rashiti në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhahet Hajrullahu, ka thënë se ka qenë e çuditshme deklarata e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka theksuar se ka pesë vite që asnjë serb nuk është vrarë në Kosovë.
“Serbia ende i vendos parametrat e sigurisë në veri të Kosovës. Trazira në veri do të ndodhin nëse Serbia me të vërtetë dëshiron trazira. Ky vit krahas përgatitjeve për dialog, do të jetë i tensionuar dhe do të jetë pjesë e kalkulimeve se çfarë raporti do të ketë Serbia përballë Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, ka shtuar Rashiti.
Sipas tij, pjesa veriore e Kosovës është instrument i Serbisë, duke shtuar se ajo pjesë mbetet një territor me mundësi të tensionimit të situatës.
“Institucionet e Kosovë duhet që të tentojnë që ta administrojnë atë pjesë të vendit. Interesi i Prishtinës është që të vendoset kontrolli kufitar, të mbyllen kufijtë alternativë, dhe të insistohet më çdo kusht juridiksioni i Kosovës deri në fund të territorit. Vakumi në dialog e ka vonuar zbatimin e marrëveshjeve të arritua në mes Kosovës dhe Serbisë dhe procesin e integrimit të plotë të serbëve në atë pjesë”, ka theksuar Rashiti.
Ai më tutje ka thënë se edhe serbët në atë pjesë janë në hall nga grupet kriminale, dhe sipas tij, një pjesë e banorëve të asaj pjese duan që të pajisen me karta të identitetit, tabela të veturave, etj. /Telegrafi/