Telegrafi

Rashicës i mbaron durimi me Leipzig, kërkon nga Werderi të pranojë ofertën e klubit anglez

Milot Rashica do të largohet këtë verë nga Werder Bremen, por ende është e paqartë e ardhmja e tij.

Sulmuesi nga Kosova ishte shumë pranë transferimit te RB Leipzig, por klubi gjerman po insiston për të paguar një shumë më të ulët se sa kërkesa e Werder.

Leipzig ka ofruar vetëm 15 milionë euro plus tri të tjera në formë bonusesh për Rashicën, teksa Werder kërkon 25 milionë euro.

Milot Rashica . (Photo by Oliver Hardt/Getty Images)

Rashica ishte pro transferimit te Leipzig, por pritjes së tij i ka ardhur fundi, pasi vushtrriasi tani është lodhur nga pritja.

Mediat gjermane kanë raportuar se Rashica i ka kërkuar Werderit dhe agjentit të tij që të shikojnë tjera opsione.

Leipzig nuk e ka ndërmend ta rritë ofertën, teksa Rashica nuk dëshiron që të pres më gjatë.

Gjithnjë sipas ‘Deichstube’, kosovari ka kërkuar nga Werder që të pranojë ofertën e Aston Villës, skuadër që është e gatshme të paguajë 25 milionë euro për të.

Milot Rashica. (Photo by Pool/Ronald Wittek/Pool via Getty Images)

24-vjeçarit i ka humbur durimi me Leipzig dhe nuk dëshiron që të presë më gjatë, pasi i frikësohet ndonjë lëndimit dhe në këtë mënyrë do të rrezikonte transferimin.

Përpos që është njoftuar Werder, besohet se edhe agjenti i Rashicës, Altin Lala do të marrë rrugë për në Angli për të diskutuar kushtet personale të vushtrriasit.

Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare sa i përket të ardhmes së Rashicës, ku pritet të nënshkruajë me klubin e ri.

Gjithsesi përveç RB Leipzig e Aston Villës, në garë për të janë edhe West Ham United, Wolverhampton Wanderers dhe Hertha Berlin. /Telegrafi/