Site icon Telegrafi

Rashica flet pas paraqitjes fantastike me Galatasarayn: I lumtur që fillova si titullar dhe për golat e shënuar

Milot Rashica është bërë protagonist në fitoren e thellë të Galatasarayt 7-0 ndaj Kastamonuspor në kuadër të rrethit të parë të Kupës së Turqisë.

Gjiganti turk shënoi një fitore të thellë ndaj klubit modest që bën gara në Ligën e Tretë të Turqisë.

Reprezentuesi kosovar u përkujdes për t’i shënuar dy gola, të parin në minutën e 27-të për 1-0 dhe të dytin personal në minutën e 56-të për 4-0.

Pas ndeshjes Rashica është shprehur shumë i lumtur me paraqitjen e tij dhe të ekipit në këtë sfidë.

“Jam shumë i lumtur që fituam dhe u kualifikuam në turin tjetër. Shumë raste i kthyem në gola dhe mund të bënim më shumë”, tha fillimisht Rashica.

“Kemi shumë gjëra pozitive për të hequr nga kjo lojë. Shpresoj që kjo ndeshje të na rrisë vetëbesimin dhe ta fitojmë ndeshjen që do të luajmë këtë fundjavë”, vazhdoi tutje Rashica.

Vushtrriasi ka thënë se është i lumtur që ka filluar këtë sfidë nga minuta e parë dhe që shënoi dy gola para tifozëve të tyre.

“Jam i lumtur që fillova nga minuta e parë dhe shënova gola. Gjëja më e rëndësishme për mua ishte fitorja para tifozëve tanë”, përfundoi Rashica për faqen zyrtare të klubit.

Të dielën me fillim nga ora 19:00, Galatasaray pret në shtëpi Alanyasporin në kuadër të xhiros së 11 në Superligën e Turqisë. /Telegrafi/

Exit mobile version