Site icon Telegrafi

Raportimi i ZRRE-së pa medie, Hoti: Kjo praktikë me dyer të mbyllura duhet të ndalet

Foto: Arkiv

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka reaguar pas raportimit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti pa prezencën e medieve.

Ish-kryeministri Hoti me anë të një reagimi në Facebook ka thënë se, kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura duhet të ndalet.

“Përse raporti i ZRRE-së në Komisionin për Ekonomi duhet të jetë me dyer të mbyllura?! Pse publiku duhet privohet nga informatat për veprimet e ZRRE-së në përballje me krizën energjetike? Çfarë sekreti shtetëror janë vendimet e ZRRE-së për tarifat energjetike?! Kjo praktikë e raportimeve me dyer të mbyllura është e re dhe duhet të ndalet. Publiku ka të drejtë të informohet plotësisht. ZRRE-ja nuk është AKI, e as Polici apo FSK, të cilat sipas ligjit duhet të klasifikojnë informatat”, thuhet në reagimin e Hotit.

Ditë më parë, Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga ZRRE-ja.

Apeli thotë se ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit.

Lexo po ashtu ZRRE-ja raporton në Komisionin për Ekonomi pa prezencën e medieve

ZRRE-ja më 9 shkurt 2022 kishte miratuar tarifat e reja për energji elektrike. Me këto tarifa, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800kWh rrymë në muaj, paguajnë më shtrenjtë. Sipas llogaritjeve të ZRRE-së, rreth 20 për qind e konsumatorëve shpenzojnë më shumë se 800kWh në muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version