Site icon Telegrafi

Raportimi i gjyqtarit Simmons për skandale në EULEX, juristët: Kosova mund të kërkojë hetime nga Bashkimi Evropian

Nga Muhamet Hajrullahu dhe Xhejlane Kaçiu 

Ndërhyrje politike, manipulim të provave, ndikime te dëshmitarët dhe të dhëna që i janë transferuar Serbisë, janë vetëm disa nga akuzat që ish-kryetari i Asamblesë së gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons i ka thënë.

Ai i bëri këto akuza në drejtim të këtij misioni, gjatë raportimit të paralajmëruar tash e një vit, para Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Këto deklarata nuk i komentuan shumica e deputetëve të këtij komisioni të pranishëm gjatë raportimit të Simmons.

Telegrafi nga dita e martë ka tentuar të marr ndonjë përgjigje nga deputetët e PDK-së, LDK-së, LVV e AAK-së, por asnjëri nuk ka kthyer përgjigje deri në këtë moment.

E, megjithëse këto akuza duken shumë serioze dhe me ndikim të madh në skenën politike kosovare, sipas juristëve, Kosova i ka duart e lidhura sa i përket mundësisë për të hetuar këtë mision të Bashkimit Evropian.

Simmons ndër të tjera, tha se kishte direktiva që gjykatësit e këtij misioni t’i largonin nga skena politike disa politikanë që konsideroheshin si “peshq të mëdhenj”, duke i dënuar.

Këtyre deklaratave iu përgjigjën nga Bashkimi Evropian e po ashtu edhe nga vet EULEX-i duke i quajtur të pavërteta.

Në anën tjetër Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se për Kuvendin e Kosovës, ky duhet të jetë një kapitull i mbyllur.

Miftaraj tha se “Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë marrëveshje lidhur me Misionin e EULEX në Kosovë, ku si rast sui generis Kosova delegon pjesë të sovranitetit tek një mision ndërkombëtar”.

“Në bazë të kësaj marrëveshje, Kosova merr obligime ndërkombëtare në raport me funksionimin e këtij misioni, ku institucionet e Kosovës nuk kanë asnjë autoritet apo kompetencë lidhur me menaxhimin dhe administrimin e këtij misioni”, tha Miftaraj për Telegrafin.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj /Foto: Ridvan Slivova

Ai theksoi tutje se Kosova garanton imunitet të plotë lidhur me stafin ndërkombëtar dhe lokal të këtij misioni.

“Në këtë aspekt edhe inicimi i çfarëdo hetimi parlamentar nga Kuvendi i Kosovës do të binte ndesh me këto obligime ndërkombëtare që ka marr Republika e Kosovës. Në këtë drejtim për kuvendin e Kosovës ky rast duhet të jetë kapitull i mbyllur”, u shpreh Miftaraj.

Në anën tjetër, avokati, Kushtrim Palushi raportimin e Simmons e konsideron si të rëndësishëm sepse sipas tij ka ofruar pak transparencë në një mision që përgjithësisht ai e cilësoi si jo-transparent dhe sepse sipas tij, “ky mision nuk ka qenë vetëm dhe ekskluzivisht mision për sundimin e ligjit në Kosovë”

“Pra, duket se misioni i EULEX-it krahas luftimit të krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të luftës, ka pasur edhe një mision politik në Kosovë që mund të ketë ekzistuar nga fillimit, apo është krijuar më vonë gjatë ekzistimit të misionit”, thotë Palushi.

Ndërkaq, sikurse edhe Miftaraj, Palushi thotë se “Me marrëveshjet ndërkombëtarë në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian në njërën anë, mirëpo edhe me ligjet përkatëse që kanë rregulluar punën e misionit të EULEX në Kosovë, është përcaktuar që ky mision, personeli i tij ndërkombëtar dhe lokal kanë imunitet të plotë nga çfarëdo hetimi nga autoritetet e Kosovës”.

“Si rrjedhojë, autoritet e Kosovës nuk kanë autoritet ligjor për të zhvilluar çfarëdo hetimi në raport me këtë mision”, thekson Palushi.

Madje, siç thotë Palushi, “siç duket as vetë misioni i EULEX nuk ka pasur autoritet për të vendosur ndaj një pjese të personelit të tij të cilët nuk kanë qenë të punësuar në EULEX por kanë qenë të deleguar nga shtetet përkatëse”.

“Vetë z. Simmons ka qenë i deleguar nga Mbretëria e Bashkuar dhe në procedurat disiplinore që ka zhvilluar kundër tij, EULEX i ka rekomanduar masat eventuale kundër tij autoriteteve të Britanisë së Madhe si punëdhënës të tij dhe të cilët kanë pasur autoritet për të shqiptuar çfarëdo mase ndaj z. Simmons”, shprehet avokati Palushi.

Sipas Palushit, “Bashkimi Evropian do të kishte autoritet për të hetuar misionin e EULEX dhe për vepra penale eventuale të kryera nga pjesëtarët e këtij misioni gjatë punës në Kosovë do të mund t’i referonin për hetim dhe gjykim autoriteteve përkatëse të shteteve nga vijnë ata persona”.

Avokati Kushtrim Palushi

Se sa janë të besueshme deklaratat e Simmons, Palushi tha se një konkludim të tillë do të duhet të nxjerrin autoritet kompetente në rast të hapjes së një hetimi formal parlamentar apo në rast se Bashkimi Evropian hapë ndonjë procedurë hetimore kundrejt misionit të EULEX.

“Megjithatë, duket se ka elemente të vërteta nga raportimi i gjyqtarit Simmons, sikurse që ka edhe një motiv nga ana e tij për t’ju hakmarrë këtij misioni për zhvillimin e procedurave disiplinore kundër gjyqtarit Simmons për kohën sa ka shërbyer në mision”, u shpreh Palushi për Telegrafin.

Ai tha se “Përgjigja e EULEX në lidhje me rastin “Drenica II” lë hapësirë për të kuptuar se mund të ketë pasur shkelje ligjore në mënyrën e përbërjes së trupit gjykues. EULEX arsyetohet se askush nuk e ka kundërshtuar përbërjen e trupit gjykues, çka nuk nënkupton se shkelja procedurale nuk ka ndodhur”.

Palushi tha se, “Gjithashtu, në lidhje me deklarimet e EULEX se ky mision nuk ka transferuar dosje të krimeve të luftës autoriteteve serbe, një deklarim i tillë teknikisht mund të jetë i vërtetë, po çka nëse EULEX ka transferuar këto dosje tek Task Forca Speciale e formuar për të hetuar pretendimet e raportit të Dick Marty dhe çka nëse kjo Task Force ka transferuar dosje të krimeve të luftës tek autoritetet serbe”.

“Ne nuk e dimë një gjë të tillë, mirëpo EULEX do të duhej të ofrojë një përgjigje më të plotë në këtë çështje”, u shpreh Palushi ndër të tjera.

Ai tutje shtoi se, ky raportim për Kosovën mundet vetëm të ofrojë më shumë transparencë në raport me misionin e EULEX-it dhe si ka vepruar ky mision në Kosovë.

“Autoritetet e Kosovës munden eventualisht të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që të zhvillojnë një hetim gjithëpërfshirës për misionin e EULEX-it dhe nëse ky mision me të vërtetë i ka ndihmuar apo e ka penguar Kosovën në rrugëtimin e saj shtet-formues”, tha Palushi për Telegrafin.

Lexo po ashtu Akuzat e ish-gjyqtarit Simmons, BE thotë se qëndron pranë EULEX-it dhe arritjeve të tij

Ndërsa, Bashkimi Evropian duke komentuar deklaratat e Simmons ka deklaruar se qëndron pranë Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe arritjeve të tij, ku zëdhënësi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano ka thënë se versioni i Simmons është i njëanshëm dhe i pavërtetuar.

Lexo po ashtu EULEX-i reagon për akuzat e ish-gjyqtarit Malcolm Simmon

Kurse, nga EULEX kanë thënë se “duke e ditur se ai nuk mund të paditet për shpifje, meqë deklarata e Simmons është e mbuluar nga imuniteti i privilegjit parlamentar – ai është përfshirë në një fushatë të qëllimshme dezinformimi në lidhje me shkelje që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX dhe e cila ka për qëllim t’i shërbejnë motiveve dhe interesave të fshehta”.

Por, si ka nisur rasti me ish gjykatësin Simmons në Kosovë?

Pasi kishte shërbyer në Kosovë për dhjetë vite me një pagë të majme mujore, ish-udhëheqësi i gjykatësve në EULEX, Malcolm Simmons që është me prejardhje britanike në një intervistë që kishte dhënë në vitin 2017 në gazetën franceze ‘Le Monde’ kishte treguar arsyet e dorëheqjes së tij nga misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë.

Ai në këtë intervistë mes tjerash kishte folur edhe për denoncimet që kishte bërë për disa raste të korrupsionit në këtë institucion.

Intervista që kishte dhënë në vitin 2017 në gazetën franceze ‘Le Monde’, Malcolm Simmons

Por në atë kohë edhe EULEX-i kishte bërë të ditur se Simmons është nën hetime.

“Përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë”, thuhej në deklaratën e EULEX-it.

Në anën tjetër në media vendore dhe ndërkombëtare ishte raportuar edhe për karrierën e tij të dyshimtë profesionale.

Kallxo.com në vitin 2017 kishte publikuar një shkrim  nga Koalicioni i Europës Juglindore për ‘Whistleblower Protection’ ku mes tjerash thoshte se  “Jashtë Rregullit: ‘Gjyqtarit’ të lartë të BE-së i munguan kualifikimet për të shërbyer në Kosovë” dhe se ish-gjykatësi i turpëruar i Kosovës zhduket pasi akuzoi BE-në për korrupsion”.

Ndaj pretendimeve të tij në atë kohë në vitin 2017 kishte reaguar edhe ish shefja e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova e cila mes tjerash kishte thënë se Simmons nuk ka paraqitur ndonjë provë konkrete dhe ka hedhur dyshim mbi pretendimet e tij për korrupsion në EULEX.

Por kjo nuk është hera e parë që ish punonjës të misionit për sundim të ligjit të BE-së në Kosovë janë përfshirë na akuza e kundër akuza për korrupsion, mito e vendime politike të marra nga anëtarët e këtij misioni.

Akuza të tilla për korrupsion kishte ngritur edhe ish prokurorja britanike Maria Bamieh.

Bamieh akuzoi EULEX-in për largim të padrejtë nga puna duke akuzuar ish kolegët e saj për përfshirje në korrupsion e afera të tjera duke përmendur ish gjykatës e prokurorë në këtë mision.

Ndryshe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka filluar punë në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Bashkimit Evropian për Siguri dhe Mbrojtje.

Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe praktikat më të mira evropiane.

Mandati aktual i EULEX-it është filluar për ta mbuluar periudhën deri më 14 qershor 2023 duke u bazuar në Vendimin e Këshillit CFSP 2021/904. Në kuadër të mandatit të tij, Misioni zhvillon aktivitete të monitorimit dhe ka funksione ekzekutive të kufizuara. EULEX-i vazhdon t’i mbështetë Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version