Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj kanë lanë pas të kaluarën me tensione dhe janë takuar sot në Tiranë.
Sipas një njoftimi të shpërndarë në Facebook nga kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, takimi ishte miqësor dhe në frymë bashkëpunues.
“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë, siguri e politikë të jashtme, ishin temat kryesore të takimit të sotëm me Kryeministrin Edi Rama”, ka shkruar Haradinaj, përcjell Telegrafi.
Ai thotë se edhe dyshtetësia për qytetarët e Kosovës ishte ndër temat e diskutimit.
“Bashkëbiseduam gjithashtu për projektin e Hekurudhës Prishtinë – Durrës si projekt i domosdoshëm për të dyja vendet, si dhe dhënien e dyshtetësisë për qytetarët tanë”.
Haradinaj ka falënderuar Ramën për ndihmën që Shqipëria i ka dhënë Kosovës me rastin e krizës energjetike.
“Falënderova Kryeministrin Rama për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë dhe shpreha nevojën e gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në këtë kohë aspak normale”, ka shkruar tutje Haradinaj.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i kishin acaruar marrëdhëniet e tyre aq shumë sa ky i fundit kishte ngritur padi ndaj Ramush Haradinajt me akuzën për shpifje.
Mirëpo, pak muaj më vonë, Edi Rama kishte ndryshuar qëndrim, duke e tërhequr padinë./Telegrafi/