Telegrafi

Ramsey do të jetë largimi i parë i Juventusit në dimër, uellsiani do të rikthehet në Angli

Aventura e Aaron Ramseyt në Itali do të përfundojë në janar, kur i bën dy vite e gjysmë si futbollist i Juventusit.

Mesfushori uellsian nuk ka arritur të përshtatet me futbollin italian dhe do të largohet nga Juventusi pa lënë asnjë gjurmë.

Hapësirat këtë edicion për të janë minimale, pasi Ramsey ka luajtur në vetëm pesë takime me total 112 minuta që është shumë pak.

30-vjeçari ka vendosur që në janar të rikthehet në elitën e futbollit anglez, për ta rikthyer edhe formën e tij të vjetër.

Gazetari Daniele Longo ka shkruar në Twitter se tri është numri i skuadrave angleze që janë vënë pas uellsianit.

Newcastle Unites, Everton dhe West Ham United janë tri klubet që po garojnë për t’i fituar shërbimet e Ramseyt.

Juventusi mezi pret që ta largojë lojtarin, por synon që të marrë rreth 10 milionë euro nga shitja e tij.

Në total Ramsey ka zhvilluar 70 ndeshje për Zonjën e Vjetër nga viti 2019, ku ka shënuar gjashtë gola e ka asistuar në gjashtë të tjerë. /Telegrafi/