Mediat italiane raportojnë se Aaron Ramsey ka nënshkruar parakontratë me Juventusin dhe se mesfushori i Arsenalit ka arritur marrëveshje që të luajë për pesë vite te kampioni italian.
Në javët e fundit, është raportuar se uellsiani është në bisedime me Bianconerët, duke qenë se nga ky muaj është i lirë për të arritur marrëveshje me klube të tjera, duke qenë se kontrata e tij skadon me 30 qershor.
SportMediaset bën të ditur se marrëveshja tashmë është arritur dhe Ramsey do të luajë te Juve deri në vitin 2024 dhe do të përfitojë 6.5 milionë euro në sezon.
Në ndërkohë, do të jenë edhe një sërë bonusesh që do ta rritin pagën vjetore të 28-vjeçarit deri në tetë milionë euro.
Njoftimi zyrtar nga Zonja e Vjetër pritet të vijë gjatë këtij muaji, ndërsa mund të ndodhë që Juventusi ta transferojë që në këtë afat kalimtar duke mos e pritur verën.
Bardhezinjtë do t’i ofrojnë Arsenalit rreth pesë milionë euro për ta bindur klubin që ta lejojë largimin e mesfushorit në janar, sesa që ta lejojë largimin e tij me parametrat zero në verë.
Ramsey është pjesë e Arsenalit nga viti 2008 kur u transferua nga Cardiff City dhe tashmë ka kaluar një dekadë me fanellën e Topçinjve. /Telegrafi/