Telegrafi

Ramaj: Kishte vonesa të panevojshme në transformimin e FSK-së (Video)

Ekspertja e sigurisë, Besa Kabashi-Ramaj, ka theksuar se nuk mendon që transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në Forca të Armatosura të Kosovës (FSK), do të ndodhë gjatë vitit 2018.

Ajo në emisionin “Përballje” ka thënë se ndryshimet kushtetuese, përmes të cilave do të mundësohej ky transformim, nuk do të ndodhin gjatë këtij viti.

“Konsideroj se është diçka optimiste me besu kështu. Liderët politikë të Kosovës ende nuk kanë arritur që t’i marrin frenat e punëve tona të brendshme në duar”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Sipas saj, rekomandimet se si duhet të jenë kapacitetet dhe roli i FSK-së, kanë dalë, respektivisht janë dhënë, qysh në vitin 2014 dhe aso kohe ishte paraparë për dhjetë vitet e ardhshme dhe kjo nuk ka ndodhë që nga atëherë.

“Katër vite kanë kaluar për shkak të humbjes së fokusit nga liderët tonë politik në këtë çështje. Ne kemi humbur fokus, dhe kështu kanë kaluar katër vite dhe ne vazhdojmë duke e bërë të njëjtin gabim dhe të fokusohemi vetëm në FSK dhe jo në tërë sektorin e sigurisë”, ka shtuar Kabashi – Ramaj, në emisionin “Përballje” i transmetuar në RTV Dukagjini. /Telegrafi/