Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Hamdi Ramadani, ka dhënë një mori sqarimesh rreth epidemisë së fruthit, nëpër të cilën po kalon vendi ynë.
Ai në një intervistë për Telegrafin, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka theksuar se nuk ka vend për panik sa i përket kësaj sëmundjeje, nga e cila mund të mbrohemi përmes vaksinimit kundër fruthit.
“Nga muaji qershor e deri më tani në Klinikën Infektive janë paraqitur 156 raste me fruth. Në trajtim për momentin kemi 68 raste, ku tre prej tyre janë në gjendje më kritike. Nga tre pacientët që janë në gjendje më të vështirë, dy prej tyre janë fëmijë dhe një person i takon moshës 37 vjeçar”, ka bërë të ditur Ramadani.
Ai ka folur edhe për dy vdekjet e fundit që kanë ndodhur në këtë klinikë nga fruthi.
“Fëmija që ka vdekur ka qenë 15 muajsh, dhe ka përfunduar me fatalitet për shkak se ka ardhur në gjendje të rëndë te ne dhe i pavaksinuar dhe ka qenë komplet familja e prekur nga fruthi. Kurse rasti i dytë, ku ka vdekur një 37 vjeçar, përveç sëmundjes së fruthit ka qenë i prekur edhe me tuberkuloz, e gjë e cila e ka keqësuar gjendjen e pacientit”, ka sqaruar Ramadani.
Ai ka shtuar më tutje se këtë epidemi, në këtë periudhë kohore, përmes trajtimit në Klinikën Infektive, e kanë kaluar mbi 82 pacientë, duke shtuar se klinika ka staf si dhe është e furnizuar me barna të nevojshme. /Telegrafi/