Telegrafi

Ramadani: Çdo pikë e humbur na penalizon, por do të luftojmë deri në fund për titull

Trajneri i Prishtinës, Zekirija Ramadani, e konsideron penalizim për skuadrën e tij humbjen e pikëve në Superligën e Kosovës në futboll.

Bardhekaltrit luajtën pa gola kundër Gjilanit në stadiumin “Fadil Vokrri”, në ndeshjen e mbetur të javës së 26-të.

Ata kanë mundur shumë lehtë të arkëtonin pikë të plota në fund të takimit kur Besnik Krasniqi ekzekutoi një njëmbëdhjetëmetërsh, mirëpo goditjen e tij nga pika e bardhë e mbrojti portieri Enea Koliçi.

Lexo po ashtu Prishtina dhe Gjilani ndajnë pikët

Ramadani ka thënë se të zgjedhurve të tij u mungoi agresiviteti, përkundër se dhanë më të mirën, porse kundërshtari i kishte mbyllur mirë hapësirat.

Natyrisht që trajneri nuk e ka anashkaluar edhe penalltinë e humbur, porse është zotuar se do të luftojnë deri në fund për titull.

Me këtë barazim, Prishtina (51 pikë) ka mbetur katër pikë prapa liderit Ballkani (55 pikë) që ndan kreun me Dritën (55 pikë). /Telegrafi/